Ballina Artikuj Kur veprat flasin më shumë se titujt

Kur veprat flasin më shumë se titujt

Hoxhë Halil Avdulli

Pejgamberi a.s. na la një mësim të madh për mënyrën si duhet t’i shohim njerëzit, sepse…

Një nga standardet kryesore të një shoqërie në perspektivë është pikëpamja e kësaj shoqërie për njeriun, si një qenie absolutisht e lirë, që duhet t’i garantohet liria, drejtësia dhe dinjiteti — për asgjë tjetër, vetëm sepse është njeri!

Në kohën e Pejgamberit a.s. ishte një grua të me ngjyre, e thjeshtë. Ajo çdo ditë pastronte xhaminë, punë që ndoshta askush nuk e vlerësonte shumë, por që tek Allahu ishte e madhe.

Një ditë ajo ndërroi jetë. Shokët e Pejgamberit e varrosën, por nuk e njoftuan atë, sepse menduan se nuk ishte aq e rëndësishme. Kur Pejgamberi e vërejti mungesën e saj, pyeti:
“Ku është ajo grua që pastronte xhaminë?”
Ata i thanë: “Ka vdekur, o i dërguar i Allahut.”
Ai tha: “Pse nuk më lajmëruat?!” Pastaj shkoi tek varri i saj dhe u lut për të.

Ky raste përmbledh disa idenë që korigjojne pikepamjen tone per njeriun:

• Nuk ka njerëz të vegjël tek Allahu, por ka zemra të mëdha e të vogla.
• Vlera e njeriut nuk matet me pamje te jashtme, por me devotshmëri dhe vepra të mira.

• Punët që kanë dimension shoqëror dhe u sjellin dobi të tjerëve janë më të vlefshmet tek Allahu.

Sot ndodh ndryshe:
Shpesh ndodh që në rast ngushëllimi, kur vjen ndonjë autoritet apo përfaqësues i institucioneve lokale apo qendrore ai pritet me një nder të veçantë. Ndërkaq, kur vjen një njeri i thjeshtë, shpesh nuk nderohet mjaftueshëm – edhe pse të dy kanë ardhur për të njëjtën arsye: për të shprehur dhimbjen dhe respektin. Dhe aty nuk është vendi ku duhet te dallohen!

Në praktikë, kur vdes një i pasur, njerëzit mblidhen me qindra në varrimin e tij, ndërsa kur vdes një i varfër apo i panjohur, në varrim shkojnë shumë pak njerëz. Sikur vdekja të lidhej me pozitën!

Shoqëritë e mençura i nderojnë njerëzit jo për pasurinë, pamjen apo pozitën, por për shërbimin që ata i bëjnë shoqërisë dhe të tjerëve. Vlera e një njeriu matet me veprat e tij të mira dhe devotshmërinë, sepse ndoshta ai që duket i parëndësishëm në tokë, është shumë i rëndësishëm në qiell.

Allahu thotë në Kuran:
“Më i nderuari tek Allahu është ai që është më i devotshmi.” (Huxhurat, 13)

Le të përpiqemi të jemi prej atyre që vlejnë tek Allahu me zemrën e tyre të pastër, me punën e tyre të ndershme dhe me shërbimin qe i bën njerëzve.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version