Marko Gjuriq nuk hodhi në qarkullim vetëm idenë e dy konsullatave. Ai krijoi një binom politik, ku debati për Shkodrën do ta linte në hije nevojën për Bujanocin. Pikërisht kjo ndodhi. Ka dy tre ditë që opinioni publik shqiptar u mor me rrezikun imagjinar të “serbizimit të Shkodrës”, ndërsa pyetja thelbësore mbeti në hije: a ka nevojë Lugina e Preshevës për një konsullatë shqiptare? Ta marrim këtë gjë, pak më shtruar.
Binomi i sajuar Shkodër – Bujanoc
Që në fillim të këtij muhabeti kemi dy qëndrime të ndryshme, bazuar në deklarat. Nga binomi i sajuar Shkodër – Bujanoc, e pësojnë veç shqiptarët e Luginës, me një fjalë, Gjuriqi e zhvendosi qendrën e debatit nga Bujanoci te Shkodra, para kohe. Ai vuri në spikamë Shkodrën, për të lënë nën hije Bujanocin. Gjuriqi, jo në Shkodër, po ai dhe qeveria e tij nuk e duan një flamur shqiptar të valojë në Bujanoc.
Serbet e Shkodrës vs. Shqiptarët e Luginës
Konsullatat nuk hapen vetëm sipas numrit të shtetasve. Ato hapen edhe për interesa politike, ekonomike dhe strategjike. Por edhe po të përdorej kriteri demografik, është e vështirë të argumentohet se nevoja e disa dhjetëra serbëve në Shkodër është më e madhe se nevoja e një komuniteti shqiptar prej rreth 120 mijë banorësh në Luginën e Preshevës. Meqë serbët i bëjnë pushimet në jug, mund t’ia ofrojnë në Vlorë, Sarandë ose diku tjetër në Shqipëri. Megjithatë, nëse për 50 serbë në Shkodër nuk duhet të jepet një konsullatë në emër të histeri-folkrorizmave të shekullit XIX, se dikush po na e merrka Shkodrën, karshi nevojës jetike të 120 mijë shqiptarëve në Luginë, një konsullatë që do të ishte fitore e madhe historike por edhe politike e pragmatike për ato të cilën kanë mbetur në luginë dhe vazhdojnë betejën kundër represionit, thjesht është përtej çdo logjike normale racionale. Shqiptarët e Luginës kanë nevojë jetike për një konsullatë shqiptare. Kjo është parimore, politike dhe historike.
Serbizimi i Shkodrës vs shqiptarizimi i Bujanocit
Argumenti se një konsullatë mund ta serbizojë një qytet ose ta shndërrojë atë në kalë trojan të një shteti tjetër, kjo i bie që mos të kesh besim dhe të jesh totalisht i varfër në dijet historike të rezistencës shqiptare. Ky argument mbështetet mbi një frikë simbolike dhe jo mbi një analizë të funksionit real të një konsullate.. Po si ka mundësi, në qytet, që njihet si qytet i rrezistencës, shteti i së cilës është anëtare e NATO-s me institucione sigurie dhe mekanizma të integruar të mbrojtjes, të lejojë një kalë trojan për serbizimin e Shkodrës? Kaq pak kemi besim te vetja? Në anën tjetër, pse nuk e përdorim të njejtën logjikë edhe për Bujanocin? Serbia nuk ka interes që Shqipëria të ketë një prani të përhershme institucionale në Bujanoc. Unë besoj fuqishëm se, numri i serbëve në Shkodër, nuk shtohet kurrë Shkodër, por numri i shqiptarëve do të kurret deri në nivel zhdukjes, brenda një dekade. Në planin afatgjatë, dy konsullata një në Shkodër, një në Bujanoc, kush humb e kush fiton? Unë besoj se shumë më shumë, humb Lugina e Preshevës. Shkurt e shqip, Serbia s’ka nevojë për një konsullatë në Shkodër, aq më pak një konsullatë shqiptare në Luginë të Preshevës.
Mungesa e një strategjie të përbashkët Kosovë-Shqipëri
Hasmëria e ftoftë midis Edi Ramës dhe Albin Kurtit, ka penguar në krijimin e një strategjie të përbashkët kombëtare, të institucionalizuar në ndihmimin dhe avancimin e të drejtave politike të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Madje, madje ajo shpesh është shndërruar në fushëbetejë midis këtyre dyve, por që në fund e kanë pësuar veç shqiptarët e Luginës së Preshevës. Janë bërë gjëra të mira, së fundmi, por një koordinim strategjik dhe logjistik do ishte i mirë se ardhur. Shembull, fondet e ndara nga Republika e Kosovës, lehtësisht, mund të alokoheshin përmes kanaleve logjistike dhe diplomatike të Shqipërisë, gjegjësisht, përmes kësaj konsullate në Bujanoc.
Interesi strategjik përtej simbolizmave
Marko Gjuriq, e rrëzoi perden para aktit të fundit. Ai, për ta pamundësuar një konsullatë Shqiptare në Bujanoc, e hodhi balonin me ajër, për një konsullatë në Shkodër. Krijimi i një binomi të tillë fallco, e arriu efektin. Ne vetë shqiptarët, duke i rënë Shkodrës po i bijmë Bujanocit. Në vend të reagimeve histerike mendoj që duhet menduar në mënyrë strategjike dhe racionale. Edi Rama dhe qeverisja e tij, meritojnë kritikat më të forta, prandaj edhe po ballafaqohet me protesta si kurrë më parë, por ama, krijimi i një konsullate në Bujanoc, është pjesë e politikave shtetërore dhe një ideal që e tejkalon Ramën si politikan dhe qeverinë e tij. Unë nuk besoj që, pas këtij momenti, mund të bëhet diçka, por ama, prezenca institucionale e shtuar e Shqipërisë është jetike dhe shumë e mirëpritur nga shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Për fund
Një konsullatë nuk është vetëm një ndërtesë me flamur. Ajo është një instrument i diplomacisë publike, një kanal institucional për mbrojtjen konsullore, promovimin kulturor, koordinimin ekonomik dhe ndërtimin e marrëdhënieve të vazhdueshme me komunitetin shqiptar. Pikërisht për këtë arsye, prania institucionale e Shqipërisë në Bujanoc ka një peshë që tejkalon funksionet klasike konsullore.
Megjithatë, kësaj here fitoj Gjuriqi, e humbën ne. Mendoj që kjo është fitorja më e madhe e narratives së Marko Gjuriqit. Ai nuk kishte nevojë ta bindte Shqipërinë të hiqte dorë nga Bujanoci. I mjaftoi ta zhvendoste debatin te Shkodra. Pjesën tjetër e bëmë vetë. Kur një popull fillon të luftojë kundër interesit të vet strategjik, atëherë kundërshtari nuk ka më nevojë të fitojë betejën; mjafton të zgjedhë terrenin ku ajo zhvillohet.
Latif Mustafa