Larja e dhëmbëve tri herë në ditë dhe kryerja e kontrolleve të rregullta te dentisti mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të më shumë se 50 problemeve serioze shëndetësore, duke përfshirë demencën dhe artritin.
Prej kohësh dihet që shëndeti oral ndikon në mirëqenien tonë të përgjithshme, me hulumtime të mëparshme që lidhin përhapjen e baktereve nga sëmundjet orale me sëmundjen e Alzheimerit, kancerin, sëmundjet kardiovaskulare, diabetin dhe më shumë, shkruan Euronews.
Një panel ekspertësh theksoi rëndësinë e kësaj në Shoqatën Amerikane për Avancimin e Shkencës (AAAS), një konferencë vjetore që u zhvillua në Arizona, Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.
“Tani mendojmë se ruajtja e shëndetit të dhëmbëve mund të shoqërohet me një rrezik të reduktuar të më shumë se 50 sëmundjeve sistemike”, tha Alpdogan Kantarci, profesor në Shkollën e Stomatologjisë të Universitetit të Minesotës, në eventin e titulluar “ Goja si Portë Drejt Shëndetit të Përgjithshëm”.
“Hulumtimet tani po tregojnë se tek njerëzit me sëmundje të lehta ose të moderuara, ata që lajnë dhe kujdesen për dhëmbët e tyre ose vizitojnë një dentist dhe bëjnë pastrime të avancuara, po tregojnë përgjigje shumë më të mira njohëse”, vazhdoi ai.
Kantarci theksoi periodontitin, një formë agresive të sëmundjes së mishrave të dhëmbëve, si një faktor kyç rreziku për zhvillimin e sëmundjeve si artriti reumatoid dhe demenca.
Kur bakteret nga sëmundjet orale migrojnë në qarkullimin e gjakut dhe në tru, ato shkaktojnë inflamacion kronik. Kjo mund të shkaktojë që sistemi imunitar të sulmojë nyjet dhe gjithashtu mund të përshpejtojë formimin e pllakave, të cilat prishin neurotransmetuesit dhe çojnë në rënie njohëse.
Nuk ka studime që sugjerojnë se sëmundja e mishrave të dhëmbëve shkakton demencë ose artrit.
