Një zyrtar i lartë i Ligës Arabe konfirmoi të premten se një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete të çështjes palestineze do të zhvillohet nga 17 deri më 20 qershor, nën bashkëkryesimin e Arabisë Saudite dhe Francës.
“Në konferencë do të diskutohet njohja e Shtetit të Palestinës dhe mënyrat për të materializuar këtë shtet në terren,” tha ndihmës sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Hossam Zaki, në një konferencë për shtyp në Bagdad, ku u mbajt edhe Samiti i 34-t i Ligës Arabe.
Zaki theksoi se konferenca do të jetë “serioze dhe gjithëpërfshirëse,” duke trajtuar aspektet politike, ekonomike dhe shoqërore të çështjes palestineze.
Samiti dhe paralajmërimi për konferencën vijnë në një kohë kur Izraeli vazhdon ofensivën në Gaza, e cila ka shkaktuar mbi 53,000 viktima, shumica gra dhe fëmijë.
Zaki shtoi se disa shtete pritet të njohin zyrtarisht Shtetin e Palestinës gjatë konferencës, gjë që do të ketë “ndikim të madh politik.”
Presidenti francez Emmanuel Macron kishte njoftuar në prill se Franca mund ta njohë Palestinën gjatë muajve të ardhshëm, ndoshta në këtë konferencë të planifikuar për qershor, pa dhënë ende një vendmbajtje të saktë. /mesazhi
