Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka paralajmëruar për mungesa serioze të barnave dhe materialeve mjekësore, veçanërisht në shërbimet emergjente, si pasojë e bllokadës dhe kufizimeve izraelite.
Sipas ministrisë, mbi 52 për qind e barnave esenciale janë plotësisht jashtë stokut, ndërsa mungesa e materialeve mjekësore ka arritur në 71 për qind. Po ashtu, 59 për qind e furnizimeve për laboratorë dhe banka gjaku mungojnë.
Më të prekura janë shërbimet emergjente dhe të kujdesit intensiv, ku mungojnë solucionet intravenoze, antibiotikët dhe qetësuesit e dhimbjeve. Kjo situatë rrezikon t’u mohojë trajtimin emergjent rreth 200 mijë pacientëve, shërbimet kirurgjikale 100 mijë të tjerëve dhe kujdesin intensiv 700 pacientëve.
Ministria njofton gjithashtu për mungesa në shërbimet e dializës, onkologjisë, kirurgjisë së zemrës dhe ortopedisë. Sipas saj, Izraeli po lejon hyrjen e më pak se 30 për qind të kamionëve me ndihma mjekësore që nevojiten çdo muaj.
Pavarësisht armëpushimit të mbështetur nga SHBA-të, autoritetet shëndetësore në Gaza thonë se Izraeli nuk po respekton marrëveshjen për lejimin e ndihmave mjekësore.
Ndërkohë, rreth 1,500 fëmijë presin hapjen e pikave kufitare për t’u trajtuar jashtë Gazës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 1,200 pacientë, përfshirë 155 fëmijë, kanë humbur jetën pasi nuk kanë mundur të evakuohen për trajtim mjekësor. /mesazhi
