Së fundmi qeveria Rama ka hedhur për diskutim publik të ashtuquajturin Ligj i Barazisë Gjinore, ku theksi kryesor i vendoset një termi të ri ligjor “përkatësi e shumëfishtë gjinore”. Në shpjegimet e dhëna nga hartuesit e këtij ligji te ky term futet edhe orientimi seksual, ku ky i fundit në jetën e përditshme më tepër i referohet “orekseve seksuale” njerëzore, se sa të qenit mashkull a femër. Vendosja në të njëjtin nivel me identitete të tjera të orientimit seksual me kategoritë e pakicave dhe minoriteteve gjuhësore, etnike e racore është vetë një diskriminim abuziv që bëhet nga hartuesit e projektligjit, duke goditur njëkohësisht nevojat vitale të këtyre minoriteteve dhe e zgjeron me një kategori të panevojshme ligjore.
Nuk mund të mohohet ekzistenca e orientimit seksual njerëzor, e cila vjen si pasojë në themel e të qenit femër apo mashkull, por kjo është pasojë rrjedhëse e faktit të të qenit në thelb mashkull apo femër. Pra orientimi seksual dhe përkatësia gjinore nuk janë gjendje e të njëjtit nivel, siç po përpiqen të na e paraqesin hartuesit e këtij projektligji. Përpjekja e tyre për të futur si kategori të posaçme orientimin seksual, si kategori e barazvlefshme me të qenit mashkull a femër është krejtësisht alogjike dhe moralisht e turpshme, që shkon në të kundërt të zakoneve dhe traditave të mira të krijuara prej shekujsh nga populli shqiptar.
Popujt prej kohësh në margjinat e tyre sociale i kanë vendosur orekset seksuale, si forma të qejfeve dhe të kalimit të kohës, por asnjë herë si sot po kërkohet që orekset seksuale dhe përmbushja e tyre të kthehen në kategori të natyrshme ligjore. Gjuha diskriminuese ndaj kësaj kategorie njerëzish tashmë është bërë e ndëshkueshme edhe penalisht dhe gjykatësit po orientohen ta shohin si të natyrshme orientimin seksual. Një debat tashmë i hapur prej kohësh është ai i ligjërimit të prostitucionit dhe shtëpive publike, i cili ka hasur në shumë zëra kundër. Përpjekje të vazhdueshme ka pasur nga shoqata të ndryshme për të normalizuar terma socialë, që nuk i përkasin traditës tonë shqiptare dhe sjellje që ju përkasin të ashtuquajturave pakica seksuale dhe orekseve të tyre. Madje së fundmi u tentua që përmes Planit Social të Bashkisë të futeshin trajnime për psikologët e shkollave duke plasuar edhe termin e kundërnatyrshëm “fëmijë apo të mitur LGBT”. E gjithë kjo fushatë shoqatash luksi, që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe kërkojnë të sjellin ndryshime në terminologjinë e përditshme shoqërore të Shqiptarit normal, nuk është gjë tjetër veçse tjetërsim i një normaliteti të familjes, e cila me gjithë hallet e problemet e veta i duhet të marri parasysh edhe orekset e devijuara seksuale.
Në subkulturën shqiptare të qyteteve të ndryshme janë trajtuar me kujdes edhe problemet e minoriteteve seksuale që prej kohësh, dhe kjo për etnologët dhe antropologët nuk përbën ndonjë të re. Akoma ekzistojnë në memorien kolektive këngët popullore mbi dylberat, çunat e bukur apo vajzave të bukura, që shërbenin si eskorta. Madje gjatë Monarkisë Shqiptare prostitucioni u njoh ligjërisht. Dokumentet historike e emërtojnë këtë ligj si “Rregulloreja e Kurvënisë”. Kjo rregullore ishte një akt normativ i posaçëm, që legalizonte dhe rregullonte prostitucionin në Mbretërinë e Shqipërisë.
Ajo ishte e bazuar në një model austro-hungarez dhe synonte të vinte nën kontroll shtetëror veprimtarinë e prostitucionit. Qëllimi kryesor ishte parandalimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, duke i detyruar gratë e përfshira në këtë profesion të bënin kontrolle të rregullta mjekësore.
Në thelb, ky nuk ishte një ligj që e ndalonte prostitucionin, por një sistem që e shfrytëzonte atë si një “e keqe të domosdoshme”, duke e rregulluar fort dhe duke e mbajtur nën mbikëqyrje të rreptë dhe të vazhdueshme.
I gjithë legjislacioni i mëhershëm u ndërrua pas vitit 1945, porse zakonet e ulëta vazhduan të gjallojnë në forma të ndryshme dhe të mos marrin vëmendjen e duhur të shoqërisë, e cila tashmë kishte vënë si objektiv kryesor me këmbënguljen shtetërore ndërtimin e socializmit dhe kapilarizimin e ideologjisë marksiste-leniniste në çdo cep të vendit. Megjithëse në margjinat e kohës dhe të shoqërisë kjo kategori njerëzore mbijetoi me gjithë qejfet e veta dhe dihen edhe me emra, ata të cilët kanë zënë vend në kujtesën kolektive të asaj kohe.
Tashmë pas viteve 1990 legjislacioni dhe shoqëria kanë ndryshuar mjaftueshmërisht, duke i dhënë një vend të dukshëm në jetën publike personave dhe fenomeneve me orientim seksual të ndryshëm. Kjo kategori ka përfituar ligje që ua lehtësojnë jetesën edhe përmes institucioneve të posaçme si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Shqipëria ka aderuar në shumë Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, por kjo gjendje po shohim se nuk po i del kësaj kategorie njerëzore dhe shohim, që po kërkojnë ta kapilarizojnë orientimin seksual, si një të drejtë thelbësore për të ndryshuar deri edhe gjininë nga mashkull në femër dhe anasjelltas.
Kjo ka sjellë dëme të pariparueshme për njerëzit që e kanë provuar, prandaj edhe ky ligj nuk është se i shërben përmirësimit të të drejtave njerëzore, porse e vendos shumicën nën tutelën ligjore të një pakice seksuale. Në Shqipëri një jetimi i duhen një aradhe dokumentesh për të vërtetuar ligjërisht se ai është një jetim, ndërsa grupimit LGBT i mjafton vetëdeklarimi si të tillë, që të përfitojë të drejta ligjore dhe përfitime ekonomike. Ky është një diskriminim, që i bëhet shumicës dhe për pasojë ky ligj është më tepër në dëm të minoriteteve të ndryshme dhe nuk iu sjell atyre ndonjë dobi direkte.
Roald A. HYSA
