Ekspertët shpjegojnë dallimet mes dy sëmundjeve, rreziqet kryesore dhe pse parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë vendimtarë
Leukemia dhe limfoma janë sëmundje malinje që prekin sistemin e gjakut dhe sistemin imunitar. Të dyja fillojnë nga qelizat e mbrojtjes së organizmit, por dallojnë sipas qelizave nga të cilat burojnë, mënyrës së zhvillimit, disa simptomave karakteristike dhe prognozës së sëmundjes.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), këto dy sëmundje përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kancereve hematologjike dhe kërkojnë vëmendje të veçantë për shkak të ecurisë së tyre potencialisht agresive.
Leukemia zhvillohet në palcën e eshtrave, indin përgjegjës për prodhimin e qelizave të gjakut. Në këtë proces ndodh një rritje jonormale e qelizave të bardha të gjakut, leukociteve, të cilat janë shpesh të papjekura dhe jo funksionale.
Me rritjen e numrit të tyre, shtypen gradualisht linjat e tjera qelizore, përkatësisht eritrocitet dhe trombocitet. Instituti Kombëtar i Kancerit në SHBA (National Cancer Institute – NCI) shpjegon se kjo është arsyeja pse pacientët me leukemi shpesh zhvillojnë anemi, infeksione të shpeshta dhe gjakderdhje të lehta apo të zgjatura.
Ndryshe nga leukemia, limfoma zhvillohet kryesisht në nyjat limfatike, të cilat janë pjesë integrale e sistemit imunitar. Në këtë sëmundje ndodh prodhim i tepërt dhe grumbullim i limfociteve T ose B, çka çon në çrregullimin e funksionimit normal të mbrojtjes imunitare. Sipas klasifikimit të WHO-së, limfomat ndahen në limfoma Hodgkin dhe jo-Hodgkin, me dallime të rëndësishme në ecuri dhe trajtim, por me një mekanizëm të përbashkët të shumimit jonormal të qelizave imunitare.
