Njeriu shpesh e kërkon lumturinë në atë që ka, në atë që arrin, apo në atë që përjeton. Ai mendon se sa më shumë të ketë, aq më i lumtur do të jetë. Por ajo që shpesh nuk e kupton është se kjo lumturi — ajo që në arabisht quhet seadeh — nuk është gjendje e qëndrueshme. Është një ndjenjë që vjen dhe shkon.
Lumturia lidhet me rrethanat. Ajo lind kur njeriu arrin diçka që dëshiron dhe zbehet kur ajo mungon. Prandaj, ai që e lidh jetën me të, do të mbetet gjithmonë në luhatje: herë lart, herë poshtë. Sepse ajo që e shkakton atë është e përkohshme.
Ndërsa të jesh i kënaqur — kjo është diçka krejt tjetër.
Të jesh i kënaqur — ajo që në arabisht quhet rida — nuk është thjesht një ndjenjë që vjen e shkon. Është një gjendje e thellë e zemrës. Është pajtim me atë që të është caktuar, qetësi me atë që ke dhe forcë për të qëndruar i palëkundur edhe kur nuk ndien lumturi.
Të jesh i kënaqur nuk do të thotë të kesh gjithçka që dëshiron, por të mos rrëzohesh nga ajo që të mungon. Do të thotë të gjesh qetësi edhe në pak, dhe të mos e matësh jetën me sasinë apo krahasimin me të tjerët. Sepse në këtë botë, sado që të ketë njeriu, gjithmonë do të ketë dikush që ka më shumë. Kur lumturia kërkohet tek “më shumë”, ajo mbetet gjithmonë e pakapshme.
Dhe ja ku zbulohet qartë dallimi: njeriu mund të ndiejë lumturi kur tradhton, mashtron apo përfiton në mënyrë të pandershme — por nuk është i kënaqur, sepse thellë brenda e ndjen se ka tradhtuar atë që beson. Ndërsa njeriu mund të dëmtohet, të përballojë pasoja, madje të maltretohet — e megjithatë të jetë i kënaqur, sepse i ka qëndruar besnik parimit të tij dhe asaj që beson.
Pikërisht këtu zbulohet dhurata më e madhe.
Kur Allahu i Lartësuar i premton të Dërguarit të Tij, nuk e lidh dhuratën me një lumturi që kalon, por me diçka më të thellë dhe më të qëndrueshme:
“Dhe Zoti yt do të të japë, që të jesh i kënaqur.”
Ed-Duha: 5
Allahu xh.sh nuk tha: “që të jesh i lumtur”, sepse lumturia vjen e shkon. Por tha: “që të jesh i kënaqur”, sepse kjo është gjendje që vendoset në zemër dhe nuk prishet nga ndryshimet e jetës. Lumturia kalon; të jesh i kënaqur mbetet.
Kjo është dhurata më e madhe: jo që njeriu të ketë gjithmonë arsye për të ndier lumturi, por që të ketë një zemër që di të jetë e kënaqur – në bollëk dhe në mungesë, në lehtësi dhe në vështirësi.
Hoxhë Korab Hajraj
