PËRBËRËSIT: 320 g makarona të shkurtra, 400 g salmon i freskët, 200 ml krem panna për gatim, 2 thelpinj hudhër,1/2 lëng limoni, 1/2 lëkurë e grirë limoni, 1 lugë gjelle gjalpë, 1 lugë gjelle vaj ulliri, pak miell, kripë, piper i zi dhe kopër e freskët.
PËRGATITJA: Lyejmë fileton e salmonit me kripë, piper, miell dhe e skuqim për 2 minuta nga secila anë në tigan me pak gjalpë derisa të marrë një kore të bukur. E heqim dhe e lëmë mënjanë. Në të njëjtin tigan shtojmë pak vaj ulliri dhe kaurdisim hudhrat e grira hollë. Shtojmë lëng limoni dhe lëkurën e grirë të tij. Hedhim pak ujë ose lëng perimesh dhe i lëmë hudhrat të zbuten. Shtojmë salmonin e plotë dhe e ndajmë me pirun në copa sa një kafshatë. Shtojmë edhe panna-n e kuzhinës, koprën dhe e lëmë të gatuhet për 5 minuta. Ndërkohë kemi zier makaronat dhe i shtojmë te salca me salmon. Mund të shtojmë edhe pak ujë nga makaronat nëse salca është e trashë. Ju bëftë mirë!