Prokurori publik i Malit ka bërë të ditur nisjen e një hetimi për një varr masiv të zbuluar pranë kampit të pushtuar më parë nga forcat franceze në qytetin Gossi në veri të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të premten e kaluar, ushtria e Malit pretendoi se kishte zbuluar një varr masiv pranë një ish-baze ushtare të ushtrisë franceze në qytetin Gossi.
“Prokurori publik në Bamako informon publikun se me udhëzimin e ministrit të mbrojtjes dhe veteranëve nisi një hetim pas zbulimit të një varri masiv në Gossi në rrethin Gourma Rharous në rajonin Timbuktu”, thuhet në njoftimin e prokurorit publik, Soumaila Bagayoko.
Prokurori së bashku me një mjek ligjor dhe një ekip hetuesish të shtunën vizituan qytetin Gossi me qëllim për të hedhur dritë në varrin masiv.
Ai shtoi se hetimi fillestar do të krijojë një raport paraprak, publiku do të informohet për progresin dhe rezultati përfundimtar do të bëhet publik.
Ushtria e Malit njoftoi zbulimin e një varri masiv disa orë pari ushtria franceze akuzoi mercenarët rusë të grupit ‘Wagner’ në Mali për “manipulim të informacionit”.
Ushtria franceze pretendoi se ka “filmuar mercenarët rusë që varrosnin trupa pranë bazës Gossi, me qëllim për të implikuar francezët se kanë lënë pas një varr masiv”.
Operacioni ushtarak francez përfundoi në muajin shkurt pasi lidhjet e Francës me ish-koloninë e saj u përkeqësuan.
Franca dërgoi trupa në Mali në vitin 2013, me shpresën për të mposhtur kryengritësit në veri të Malit dhe në Sahel. /aa
