Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Administratës Publike, ministri i Administratës Publike i Maqedonisë së Veriut, Goran Minçev ka zhvilluar takim bilateral me ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Administratës Publike, në takim është konfirmuar interesi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në fushat me interes të ndërsjellë, me theks të veçantë në zhvillimin profesional të nëpunësve administrativë.
Ministri Minçev ka theksuar se grupi i përbashkët punues, i krijuar për koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve që dalin nga memorandumi i bashkëpunimit, po punon në mënyrë aktive dhe ka shënuar përparim të dukshëm në disa fusha. Sipas tij, rezultatet e deritanishme paraqesin bazë të fortë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar përmirësimit të sistemit të trajnimeve dhe ndërtimit të një administrate profesionale, efikase dhe bashkëkohore. Në këtë drejtim, është theksuar rëndësia e përvojave dhe praktikave të mira të Akademisë Kombëtare për Administratë Publike të Serbisë.
Në fokus të bisedimeve ka qenë edhe transformimi digjital i procesit të mësimit dhe trajnimit. Palët kanë shqyrtuar përparimin në shkëmbimin e përvojave lidhur me sistemet për menaxhimin e të mësuarit (LMS), zhvillimin e moduleve elektronike dhe zbatimin e zgjidhjeve moderne digjitale për të rritur qasjen, efikasitetin dhe cilësinë e trajnimeve në sektorin publik.
Siç tha Ministria, takimi ka rikonfirmuar përkushtimin e dy ministrive për bashkëpunim praktik dhe produktiv, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike në interes të qytetarëve të të dy vendeve.
