Më shumë se 500 persona, shumica e të cilëve i përkasin komunitetit të persekutuar Rohingya, dyshohet se kanë vdekur pasi dy varkat që i transportonin ata u përmbysën afër Mianmarit ditët e fundit, transmeton Anadolu.
Një deklaratë e përbashkët nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tha se dy anijet u nisën nga shteti Rakhine i Mianmarit në fund të qershorit duke transportuar kryesisht pasagjerë Rohingya, përfshirë disa që thuhet se kanë udhëtuar nga kampet e refugjatëve në Bangladesh.
Një varkë, me rreth 250 persona, “humbi kontaktin menjëherë pas nisjes”, tha ajo, duke shtuar se anija e dytë, që raportohet se mbante rreth 280 persona, “besohet të jetë fundosur në brigjet e Ayeyarwady-t të Mianmarit më 8 korrik”.
“Ndërsa incidentet dhe shifrat e viktimave ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht”, thuhet në deklaratën e agjencisë së OKB-së për refugjatët dhe IOM-it “janë shumë të shqetësuar nga humbjet potencialisht shkatërruese të jetëve”.
“Shumica ishin pasagjerë Rohingya që rrezikonin udhëtime të rrezikshme detare në kërkim të sigurisë”, tha Agjencia e OKB-së për Refugjatët në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
Të persekutuar në shtëpi nga junta ushtarake dhe grupe të tjera etnike, anëtarët e komunitetit Rohingya kanë ikur nga Mianmari në vende të sigurta në Bangladesh dhe Indonezi.
