Ballina Artikuj Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër

Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër

Që do të thotë se vëllai yt nuk është një zgjedhje në rrugën tënde, por një amanet mbi kurrizin tënd; dhe ai që nuk e përmbush amanetin në praktikë, nuk i vlen citimi i sloganit edhe nëse e citon atë shumë herë.

Ky ajet nuk flet për një marrëdhënie thjesht emocionale, por ai modelon një detyrim etik obligues. Fjala e Allahut të Lartësuar: “Vërtet besimtarët janë vëllezër” nuk do të thotë të duash kë të duash dhe të përjashtosh kë të duash; por do të thotë se vëllazëria nuk është një zgjedhje selektive në rrugë, por një lidhje e imponuar, që administrohet me drejtësi e jo me pasion, me amanet e jo me teka.

Prandaj vëllai yt nuk është barrë që e largon kur të kundërshton, as emër që e fshin kur gabon; por një amanet mbi kurrizin tënd, të cilin duhet ta mbrosh nga padrejtësia, t’ia largosh dëmin, ta këshillosh para se ta ekspozosh dhe të mos e shkatërrosh themelin e lidhjes edhe kur ke mospajtime me të.

Nga këtu kuptohet se ai që e tradhton këtë amanet në sjelljen e tij dhe e rrëzon atë në marrëdhënie, nuk i bën dobi të përsërisë sloganin; sepse ajeti nuk vërtetohet me gjuhë, por testohet me qëndrime, nuk ruhet me brohoritje, por me vepra.

Sot, vëllazëria te shumë myslimanë nuk është më një lidhje që ruhet, por një titull që përdoret sipas nevojës dhe anashkalohohet në rast mospajtimi; trajtohet në hytbe dhe shkruhet në slogane, por pëson rënie të shpejtë qysh në përplasjen e parë të mendimit, metodës apo interesit.

Vëllazëria është bërë për shumëkënd e kushtëzuar, jo e qëndrueshme: Vëllai yt është vëlla sa kohë që pajtohet me ty; përjashtohet kur të kundërshton; akuzohet kur trazon bindjet e tua; trajtohet egërsisht kur del jashtë grupit tënd; sikur të ishte një kontratë pune dhe jo një amanet për të cilin do të jepet llogari.

Arena e përgjegjësië është shndërruar në arenë eliminimi dhe likuidimi: ku lëndimi i vëllait arsyetohet në emër të xhelozisë fetare, padrejtësia ndaj tij bëhet legjitime në emër të suportit, mënjanimi i tij vishet me petkun e fesë, derisa mendimi ndryshe u bë shkak për përçarje dhe jo derë për ixhtihad.

Më e dhimbshmja është se shumë nga ato që ndodhin sot nuk bëhen ndaj kundërshtarëve, por ndaj vetë vëllezërve: reputacioni nëpërkëmbet, nijeti vihet në dyshim dhe është harruar fakti se Allahu do të pyesë: A e ruajte vëllanë tënd kur kishe mundësi ta thyeje?

Vëllazëria nuk u mposht për shkak të mungesës së urdhërit për ta ruajtur atë, por sepse zemrat u zbrazën nga madhështia e tij; sepse slogani mbeti… ndërsa përkujdesja humbi.

Autor: Durejd Ibrahim Mousuli

Përktheu: Elton Harxhi

Exit mobile version