Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ka pasur “progres të caktuar” në negociatat me Hamasin për shkëmbimin e të burgosurve, por pranoi se nuk ishte i sigurt se sa kohë do të zgjasin bisedimet, transmeton Anadolu.
Duke folur në Knesset, parlamentin izraelit, Netanyahu theksoi se sigurimi i lirimit të atyre që ende mbahen në Gaza mbetet një prioritet kryesor.
“Nuk mund të ndaj të gjitha detajet e veprimeve tona, por ne po ndërmarrim hapa të rëndësishëm në të gjitha nivelet për të sjellë të dashurit tanë në shtëpi”, tha ai.
Netanyahu u shpreh se progresi në negociata vjen nga tre faktorë kryesorë: Vdekja e ish-udhëheqësit të byrosë politike të Hamasit, Yahya Sinwar, dështimi i Hamasit për të marrë mbështetjen e pritur nga Irani dhe Hezbollahu, si dhe presioni i vazhdueshëm ushtarak ndaj Hamasit në Gaza.
“Unë them me kujdes se ka përparim të caktuar, por nuk e di sa kohë do të nevojitet”, shtoi ai.
Burimet izraelite kanë thënë se Tel Avivi po ndjek një marrëveshje me dy faza: një fazë “humanitare” që përfshin lirimin e grave, të moshuarve dhe të plagosurve, e ndjekur nga një fazë e dytë që synon përfundimin e luftës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Sipas të përditshmes Maariv, ministri i Financave Bezalel Smotrich tha se ai do të kundërshtonte fuqimisht çdo shkëmbim të mundshëm të të burgosurve me Hamasin, duke e quajtur shkëmbimin “të keq”.
Të shtunën në mbrëmje, mijëra izraelitë protestuan në të gjithë vendin, duke kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse të shkëmbimit të të burgosurve. Demonstratat u zhvilluan në Tel Aviv pranë Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe në Kuds, Beersheba, Kiryat Gat dhe Ofakim.
Izraeli ka vazhduar një luftë gjenocidale në Gaza që ka vrarë më shumë se 45.300 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.
Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.
Sulmet nga rebelët Huthi
Netanyahu foli gjithashtu për kërcënimet rajonale, duke deklaruar se Izraeli po monitoron nga afër ambiciet bërthamore të Iranit. “Ne jemi të vendosur t’i parandalojmë të mos posedojnë një arme bërthamore”, tha ai.
Ditët e fundit, Izraeli ka kryer sulme të shënjestruara ndaj pozicioneve strategjike të rebelëve Huthi në Jemen. Netanyahu konfirmoi se ushtria izraelite ishte udhëzuar për të kryer këto operacione. “Ky nuk është operacioni i fundit. Kushdo që përpiqet të na dëmtojë, do të përballet me forcën tonë të pamëshirshme”, shtoi ai.
Të enjten, ushtria izraelite raportoi se 14 avionë luftarakë kishin sulmuar pesë objektiva në Jemen, duke shënuar sulmin e tretë të tillë që nga fillimi i ofensivës së Izraelit në Gaza mbi 14 muaj më parë.
Si përgjigje, media të afërta me rebelët Huthi raportuan se sulmet ajrore izraelite shënjestruan portet dhe infrastrukturën energjetike në kryeqytetin Sanaa dhe në provincën bregdetare Al Hudaydah të Detit të Kuq, duke vrarë nëntë persona dhe duke plagosur tre.
Rebelët Huthi, në solidaritet me Gazën, e cila po përballet me një luftë gjenocidale izraelite që prej 7 tetorit 2023, kanë vënë në shënjestër anijet izraelite të mallrave ose ato të lidhura me Tel Avivin në Detin e Kuq, me raketa dhe dronë, duke shprehur vendosmërinë për të vazhduar operacionet deri në fund të sulmit në enklavë.
Që nga fillimi i vitit 2024, një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja ka kryer sulme ajrore për të cilat tha se shënjestrojnë vendndodhjet e Houthi-ve në pjesë të Jemenit në përgjigje të sulmeve të grupit në Detin e Kuq. Kundërsulmet janë pritur herë pas here me hakmarrje nga grupi.
Mes ndërhyrjen e Washingtonit dhe Londrës, dhe një përshkallëzimi të tensioneve, grupi Huthi njoftoi se i konsideron të gjitha anijet amerikane dhe britanike objektiva ushtarake.
