Në emër të lirisë, shkrimtarët që në mesin tonë kanë një famë të hatashme, shfaqin edhe kësi lloj pamendësish; le të vishen si të duan femrat, janë të lira, por të mbulohen me shami nuk bën! Pasi krijojnë përmes imagjinatës së tyre të sëmurë një sheriat të tyre, fillojnë dhe e rrahin me kamxhik atë sheriat, duke mëtuar se po e godasin sheriatin që ata as grimcën e njohurisë nuk e kanë. Për fat të keq, këta nderohen dhe ftohen gjithandej. Bëjnë para të majme prej librave të tyre, që janë të mbushura me nxitje të urrejtjes, me të pavërteta, ku nëse i kritikon të pavërtetat e tyre, të thonë se bëhet fjalë për art, kurse nëse i kalon në heshtje këto broçkulla, me kalimin e kohës artin ta shesin për shkencë. Megjithatë, një faj të madh kanë snobët, të cilët nuk duan të shprehin kritika ndaj tyre, por duan të përfitojnë në kurriz të famës së tyre, pavarësisht dëmit që janë duke e shkaktuar. Kurse, ata që shkruajnë për të mirën, të drejtën, të cilët kritikojnë papërllogaritje se këtij e atij duhet t’i pëlqej, nuk nxisin përçarje dhe nuk ia fyejnë të shenjtën tjetrit, rëndom nuk përkrahen, madje nuk përkrahen publikisht edhe prej atyre që ndajnë të njëjtat bindje. E keqja po na troket furishëm, ngaqë derën po ia hapin edhe njerëzit, të cilët i njohim për të mirë e për të drejtë!
Iljasa Salihu
