Ministri i Arsimit të Nigerisë, Adamu Adamu tha se gratë muslimane lejohen të mbajnë shami me kushtetutën e vendit dhe është për të ardhur keq që debati për shaminë ka çuar në konflikte të panevojshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë lidhur me debatin e vazhdueshëm për hixhabin në disa pjesë të vendit, ministri Adamu tha se të gjithë qytetarëve u lejohet të praktikojnë fenë e tyre përderisa nuk shkaktojnë ndonjë dëm apo shqetësim tek njerëzit e tjerë.
Adamu tha se kushtetuta nigeriane i lejon gratë muslimane të mbajnë hixhabin në përputhje me besimin e tyre.
Duke thënë se është për të ardhur keq që debati për mbajtjen e shamisë në vend ka zbritur në nivel shkolle dhe ka sjellë konflikte të panevojshme, Adamu nënvizoi se vendi ka shumë për të fituar duke vendosur dialog për dallimet fetare në vend të përdorimit të dhunës.
“Fëmijët tanë do të mbeten qytetarë të Nigerisë pavarësisht besimit të tyre. Ata do të jetojnë dhe ndërveprojnë në një botë jashtë shkollës, ku nuk ka kufij midis feve”, tha Adamu.
Ai u kërkoi të gjithë liderëve fetarë dhe të komuniteteve që të përdorin sferat e tyre të ndikimit për të ulur tensionet në mënyrë që të gjithë nigerianët të mund të jetojnë në paqe, harmoni dhe tolerancë.
Pavarësisht vendimit që lejoi studentet të mbanin shami në shtetin Kwara, protestat u shkaktuan nga fakti se studentet muslimane nuk u lejuan të hynin në klasë më 3 janar dhe në incidente mbeti i vrarë një person dhe shumë të tjerë u plagosën. /aa
