Ballina Artikuj Ndalimi i hallallit dhe lejimi i haramit është shoqërues i idhujtarisë

Ndalimi i hallallit dhe lejimi i haramit është shoqërues i idhujtarisë

Dr Jusuf Kardavi (r.a)

Duke qenë se Islami i ka qortuar të gjithë ata që ndalojnë apo lejojnë, ndaluesit i ka qortuar më ashpër ngaqë kjo rrymë mendimi i kufizon njerëzit dhe ia ngushton atyre hapësirën , të cilin Zoti ua ka dhënë. Islami i ka qortuar ashpër për shkak se disa fetarë ekstremistë e kishin pranuar këtë rrymë mendimi. Profeti (a.s) me të gjitha fuqitë e luftonte këtë psedudevotshmëri dhe ekstremizëm si dhe ka informuar për shkatërrimin e tyre duke thënë: “Esktremstët janë shkatërruar, ekstremistët janë shkatërruar, ekstremistët janë shkatërruar.”[1] Për mesazhin e tij të profetësisë, ai (a.s) ka thënë: “Jam dërguar me fenë e pastër dhe tolerante.”[2] Kjo fe është e pastër në besim e monoteizëm dhe tolerante në vepër e legjislacion, teksa kundërshton (ashpër) idhujtarinë dhe ndalimin e hallallit. Këto dy gjëra i ka përmendur Profeti (a.s) në një hadith kudsij, në të cilin Allahu thotë: “I krijova robërit e Mi të pastër. Mirëpo shejtanët u afruan dhe i larguan nga feja e tyr dhe ua ndaluan atë që ua lejova si dhe i urdhëruan të më shoqërojnë shok (në adhurim) në atë që nuk kanë kurrfarë argumenti.”[3]

Kështu pra, ndalimi i hallallit është shoqërues i idhujtarisë. Për këtë arsye, Kurani e dënoi ashpër shirkun dhe idhujtarinë e arabëve, si edhe ndalimin që ata i bënin vetes nga të mirat, prej llojeve të të mbjellave dhe bagëtive, pa pasur leje nga Allahu. Prej këtyre ishin edhe ndalimet e “behirës”, “saibes”, “vesiles” dhe “hamit”.

Në kohën e xhahilijetit, kur deveja pillte pesë herë dhe lindja e fundit ishte mashkull, ata ia çanin veshin, ndalonin hipjen mbi të dhe e linin për zotat e tyre. Ajo nuk therej, nuk mbartte ngarkesa dhe nuk largohej nga uji apo kullota. Këtë e quanin “behire”, domethënë: me vesh të çarë.

Po ashtu, kur dikush kthehej nga udhëtimi, ose shërohej nga ndonjë sëmundje e ngjashme, e linte devenë e tij të lirë dhe e trajtonte si behiren. Kjo quhej “saibe”.

Ndërsa delja, nëse pillte femër, ishte për ta; nëse lindte mashkull, ishte për zotat e tyre. Por nëse lindte mashkull dhe femër bashkë, thoshin: “Ajo ia bashkoi vëllanë e saj”, kështu që mashkullin nuk e thernin për zotat e tyre. Kjo quhej “vesile”.

Kurse kur gjenerata e dytë e devesë mashkull ishte e aftë të mbante kalorës, thoshin: “Ia ka mbrojtur shpinën”, prandaj nuk hipnin mbi të dhe nuk i ngarkonin barrë. Kjo quhej “hami”. E kështu me radhë. Për shpjegimin e këtyre katër llojeve ka shumë mendime, por të gjitha sillen rreth këtij kuptimi.

Kurani ua mohoi këtë ndalim (që ata bënë) dhe nuk ua pranoi si justifikim pasimin e etërve të tyre në këtë humbje: “Allahu nuk ka caktuar as behire, as saibe, as vesile, as hami. Por ata që mohuan shpifin gënjeshtra ndaj Allahut dhe shumica e tyre nuk logjikojnë. E kur u thuhet: “Ejani te ajo që ka zbritur Allahu dhe te i Dërguari”, ata thonë: “Na mjafton ajo në të cilën i gjetëm etërit tanë.” A edhe sikur etërit e tyre të mos dinin asgjë dhe të mos ishin në udhëzim?!”[4]

E në suren En’am tregohet me detaje diskutimi rreth pretendimit të tyre për ndalimin e bagëtive të imta, si deve, lopë, dele dhe dhi. Kurani e paraqet këtë me një stil ironik dhe tallës, por njëkohësisht edhe shkatërrues për argumentet e tyre: “Ai krijoi tetë lloje (nga kafshët shtëpiake): prej deleve dy, prej dhive dy. Thuaj: A janë ndaluar dy meshkujt apo dy femrat ose atë që mbajnë në bark dy femrat?! Lajmëromëni mua me dije të saktë, nëse ajo që thoni është e vërtetë! Ai krijoi edhe nga devetë dy (lloje) edhe nga lopët dy. Thuaju: A i ka ndaluar Allahu meshkujt apo femrat ose atë që mbajnë në bark dy femrat? Apo mos keni qenë të pranishëm kur Allahu ju ka urdhëruar për këtë? Atëherë kush është më keqbërës se ai që shpif gënjeshtra rreth Allahut, për t’i shpënë njerëzit në humbje nga padija? Padyshim Allahu, nuk i çon në rrugë të drejtë keqbërësit.”[5]

Kurse në suren A’raf kemi një lloj tjetër të diskutimit që ka lidhje me faktin se Allahu i qorton ata të cilët ndalojnë ato gjëra që janë të lejuar dhe po ashtu Ai sqaron se cilat janë parimet e përhershme të ndalesave, duke thënë: “Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?!…Thuaj: Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta apo të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejtë dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.”[6]

Këto diskutime që janë bërë në ato sure që janë shpallur në periudhën e Mekës, që vazhdimisht flasin për çështjet e besimit, monoteizmit dhe botës tjetër, nga tregojnë se kjo çështje – sipas këndvështrimit kuranor – nuk janë dytësore, por janë çështje parimore dhe themelore.

Ndërsa në periudhën e Medines në mesin e muslimanëve u shfaqën individë të cilët anonin për nga rreptësia, ekstremizmi dhe ia ndaluan vetes përftimin e të mirave. Atëherë Allahu i Madhëruar do të shpallte ajete të qarta për ata që dëshironin t’i shkelnin kufinjtë e Allahut. Zbritja e këtyre ajeteve do t’i kthente ata në rrugën e drejtë. Allahu i Madhëraur thotë: “O besimtarë! Mos ia ndaloni vetes gjërat e mira, të cilat Allahu jua ka lejuar dhe mos e kaloni kufirin. Vërtet, Allahu nuk i do ata që e kapërcejnë kufirin. Hani nga ato gjëra të lejuara e të mira që ju ka dhënë Allahu. Frikësojuni Allahut, të Cilit ju i keni besuar.”[7]

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Muslimi, Ebu Daudi dhe Ahmedi.

[2] – Muslimi.

[3] – Muslimi.

[4] – Sure Maide: 103 – 104.

[5] – Sure En’am: 143 – 144.

[6] – Sure A’raf: 31 – 32.

[7] – Sure Maide: 87 – 88.

Exit mobile version