Ndryshimet klimatike po kërcënojnë gjithnjë e më shumë prodhimin e gjalpit shea në Sahel, duke i vendosur në rrezik të ardhurat e miliona grave në Afrikën Perëndimore, transmeton Anadolu.
Gjalpi shea, i njohur gjithashtu si gjalp karite, nxirret nga arrat e pemëve shea që rriten natyrshëm në rajonet Sahel dhe Savannah.
Megjithatë, sipas një raporti të publikuar nga transmetuesi holandez NOS, shirat e paparashikueshëm, thatësirat e zgjatura dhe episodet e reshjeve intensive të lidhura me ndryshimet klimatike po ulin prodhimin dhe po degradojnë cilësinë e arrave.
Ndërprerjet dhe çrregullimet tashmë po ndihen në të gjithë sektorin.
Sipas Aleancës Globale Shea, më shumë se 8 milionë pemë shea humbasin çdo vit për shkak të prerjes së drurëve dhe presionit mbi tokën.
“Prodhimi dhe korrja e pemës shea tashmë ka ndërprerje të rëndë”, tha Obed Dadzie, menaxher marketingu në Kompaninë e Frutave Savannah, që punon me më shumë se 48 mijë gra në Gana, Bregun e Fildishtë, Burkina Faso dhe Mali.
“Asnjë furnizues në sektor nuk mund të përmbushë kërkesën globale për shkak të ndikimeve të ndryshimeve klimatike”, theksoi ai.
Dadzie tha se shirat gjatë sezonit tradicional të lagësht janë bërë gjithnjë e më të parregullt, duke dobësuar rritjen e pemëve dhe duke ulur përmbajtjen e yndyrës në arra, gjë që ul drejtpërdrejtë prodhimin e gjalpit.
Në disa pjesë të Sahelit, theksoi ai, pemët shea vazhdojnë të priten për dru zjarri, pavarësisht vlerës ekonomike dhe ekologjike që ato kanë.
Përtej prodhimit të gjalpit, pemët shea luajnë një rol kyç në sistemet lokale të ushqimit, duke ofruar hije që mbron kulturat si meli nga nxehtësia ekstreme.
Aktivisti mjedisor Mustafa Gerima, i cili punon në përpjekjet për konservim në veri të Ugandës, tha se ndryshimet klimatike gjatë dekadave të fundit kanë ulur ndjeshëm produktivitetin.
“30 vite më parë, shirat fillonin në prill ose maj. Tani shpesh vijnë shumë më vonë”, tha Gerima, duke theksuar se prodhimi për pemë ka rënë ndjeshëm.
Ndikimi është veçanërisht i rëndë për gratë, të cilat tradicionalisht mbledhin frutat dhe me punë intensive përpunojnë arrat përmes metodave artizanale. Të ardhurat nga gjalpi shea u mundësojnë shumë prej tyre të mbështesin familjet dhe të dërgojnë fëmijët në shkollë.
I njohur si “ari i grave”, gjalpi shea e mban këtë emër për shkak të traditave të vjetra që i rezervojnë gratë për korrjen dhe trajtimin e pemëve dhe frutave të tyre.
Mungesat ndihen gjithashtu në Evropë, ku kërkesa për produkte kozmetike natyrale dhe vegane vazhdon të rritet. Importuesit paralajmërojnë se derisa konsumimi global po rritet, ata që ndodhen në fillim të zinxhirit të furnizimit po paguajnë çmimin më të lartë.
