Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Në Rusi fillon vaksinimi masiv kundër COVID-19

Në Rusi fillon vaksinimi masiv kundër COVID-19

Në Rusi ka filluar programi vaksinimit masiv kundër koronavirusit (COVID-19), ndërsa klinikat në Moskë fillimisht do t’i vaksinojnë personat më të rrezikuar nga infeksioni, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksionit të Koronavirusit tha në një deklaratë se vaksinimi masiv ka filluar në 70 klinika në Moskë.

Fillimisht do të vaksinohen qytetarët nga grupet e rrezikuara të moshës 18 deri në 60 vjeç.

“Tani për tani mund të vaksinohen punonjësit e institucioneve në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe punëve sociale. Njerëzit që marrin vaksinën nuk duhet të kenë sëmundje kronike dhe nuk duhet të kenë infeksion të traktit të sipërm respirator në dy javët e fundit. Gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse nuk mund të vaksinohen”, thuhet në deklaratë.

Në 24 orët e fundit, në Rusi janë diagnostikuar 28.782 raste të reja me virusin, që është shifra më e lartë ditore në vend deri më tani, dhe 508 të vdekur.

Numri i të diagnostikuarve me COVID-19 deri më tani në Rusi ka shkuar në 2.431.731, ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në 42.684.

Ndërkaq, deri më tani janë shëruar 1.916.396 të infektuar.

Nga ana tjetër, Shërbimi i Shëndetit Publik dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit bëri të ditur se deri më tani në Rusi janë kryer mbi 78,7 milionë teste, përfshirë 550 mijë në 24 orët e fundit.

Më 2 dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin dha urdhër për nisjen e vaksinimit masiv kundër COVID-19 në vend.

Së fundmi në vend filloi prodhimi i dy vaksinave kundër COVID-19, me emrat “Sputnik V” dhe “EpiVacCorona”.

Exit mobile version