Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se interesi i vendit të tij është të ketë një “kufi paqësor” me Sirinë, transmeton Anadolu.
“Ne duam të sigurohemi që zona kufitare pranë kufirit tonë të jetë e sigurt. Të mos kemi terroristë, të mos kemi sulme”, tha Netanyahu në një konferencë për media në shtetin amerikan Florida, së bashku me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
“Dhe gjithashtu duam të sigurojmë miqtë tanë druzë. Dhe, meqë ra fjala, mendoj se jo vetëm druzët, por edhe pakicat e tjera, veçanërisht të krishterët, gjithashtu duhet të mbrohen në Siri dhe në të gjithë Lindjen e Mesme”, shto ai.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024, Izraeli e zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit në Siri, duke marrë nën kontroll zonën e çmilitarizuar tampon, një veprim që shkeli një marrëveshje të vitit 1974 me Sirinë.
Forcat izraelite kanë kryer inkursione pothuajse të përditshme në jug të Sirisë në javët e fundit, veçanërisht në provincën Quneitra, me arrestime të shumta, ngritjen e pikave të kontrollit dhe shkatërrimin e zonave pyjore, veprime që kanë nxitur zemërim në rritje të vendasve ndaj Izraelit.
Bisedimet e sigurisë të udhëhequra nga SHBA-ja mes Damaskut dhe Tel Avivit deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.
Izraeli kërkon një marrëveshje të re të sigurisë, ndërsa Siria kërkon tërheqjen izraelite në vijat e para 8 dhjetorit të vitit 2024 dhe rivendosjen e Marrëveshjes së Shkëputjes së vitit 1974, të cilën udhëheqësit izraelitë thanë se është e pavlefshme derisa “të rivendoset rendi në Siri”.
Assadi, udhëheqës i Sirisë për pothuajse 25 vjet, u arratis në Rusi më 8 dhjetor të vitit 2024, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ishte në pushtet që nga viti 1963. Ahmad al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat kundër regjimit për të rrëzuar Assadin, në fund të janarit u shpall president për një periudhë kalimtare.
