Ballina Lajmet Kosovë Nga sot fjalët përfundimtare në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Nga sot fjalët përfundimtare në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Nga sot procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë hyn në fazën përfundimtare.

Prej sot deri më 18 shkurt në Dhomat e Specializuara palët do të paraqesin fjalën përfundimtare për gjykimin.

Seancat e para janë planifikuar për prokurorinë, pastaj mbrojtësin e viktimave e mbrojtjen e të akuzuarve.

Në seancën e fundit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do t’i kenë në dispozicion nga 20 minuta për të dhënë qëndrimet e tyre.

Njohës të këtij procesi presin që fundi të jetë triumfues për katershen.

Sipas avokatit Ardian Bajraktari, pala mbrojtëse e tyre është në avantazh për shkak të kredibilitetit të dëshmitarëve.

“Ecuria e procesit tashmë po shkon drejt fundit dhe sipas këtyre parametrave vlerësoj se kah qershori ose korriku do ta kemi verdiktin e trupit gjykues në shkallë të parë, e në rast se ka drejtësi unë jam optimist se fundi i procesit do të jetë triumfues, do të jetë rikonfirmues sa i përket pastërtisë së luftës së UÇK-së”, tha për RTK-në Ardian Bajraktari, avokat.

Njëjtë mendon edhe drejtori i Institutit për Drejtësi, Ehat Miftaraj i cili ngriti shqetësime për qasjen e trupit gjykues e cila sipas tij nuk ka qenë e barabartë.

“Trupi gjykues nuk është që ka pasur një qasje të drejtë e të barabartë, të paanshme si për prokurorët, ashtu edhe për mbrojtësit e viktimave ashtu edhe oër të pandehurit dhe avokatët mbrojtës.

Fatkeqësisht ka pasur masa të paraburgimit përtej afatit të arsyeshëm kohor. Për ne është e pakuptimtë që të pandehurit të mbahen në paraburgim për vite të tëra.

Nëse do të kemi një aktgjykim lirues, atëherë cili do të jetë arsyetimi i gjykatës”, ka thënë për RTK-në Ehat Miftaraj.

Pas fjalës përfundimtare, trupi gjykues ka 90 ditë kohë për të marrë një vendin të shkallës së parë.

Exit mobile version