1. Sa frymë të thellë
Ndjejnë mushkëritë
Kujtimet pehatur vijnë
2. Çdo gjethe në mal
E fije bari në livadhe
Strukur në mallë
Gëzime e halle
3. Shoh hapat vërdallë
Në lojë e dëfrime
Dikur larg, shumë larg
Në t’ëmblat kujtime
4. Zërat gazmorë, blegërimat
Mëngjeset, dëbora, gumëzhimat
5. Kohën kur ëndrrat zgjuar rrinin
Muzgu dhe Hëna merrte lakmi
Lejlekët pranverën n’zemra e sillnin
Nga gëzimi s’ndante vapë as stuhi
6. Sa e bukur ajo jetë idilike
Fëmijëri e shkëputur nga parajsa
Bukë e kripë, mikpritje e fisme
Fshati një shtëpi me oxhaqe t’ngrohta
7. Shpejt kaluan vitet sikur vetëtimë
Kur koha valëvitej në flatra t’ëmbla
Sezonet ndanin brisk katër stinët
Botë fëmijërore si ta ka ënda
8. Pastaj erdhi kohë e zymtë, mugëtirë
Nën thundrat e akullta të robërisë
Një rini e rëndë, në pranga e zingjir
Gurbet në duart e Nënës lidhur n’kërthizë
9. Gjithçka ndryshoi kur korbat e zi
Nga Shumadia qiellin tonë e nxinë
Nuk lanë Hënë as rreze Dielli në sy
Tokë t’djegur shtratin, djepat i thyen
10. Erdhi kushtrimi nga luanët e Atdheut
Zahiri e Ademi që ruanin mbi avli
Ato kulla të zemrave si Prometeu
Mbytën frikën n’zemra me shkjaun e zi
11. Sa herë vjen Vjeshta, një gjamë lëshohet
Kanë mbetur pak ditë deri në borën e parë
Kur gjaku i Zahirit e përvëloi tokën
Skuqur gjiri i Nënës me këtë djalë kurban
12. Nga Pestova* u nis zani i këitij haku
I tre luanëve trima* si në legjenda
Si gurrë rrëke deri në Kullat e Jasharëve
Më 5 Mars kur lule gjaku qeli pranvera
13. Eh, kështu Nënlokja n’strehën e Shqiponjës
Ngulur thonjtë në gji, gjakë gjumshti pikonte
T’i ushqente sado pak ata bij të Kosovës
Që kishin rrokur armët, zemra u gufonte
14. Kështu biri im kjo ëndërr t’fillojë
Me zë të ndrojtur Gjyshi, në prani i nipi
Atë “kjo ninullë” në gjumë të thellë e vënoj
Një lot i vakët ia përshkoi ballin përsipri
15. Ishte lot gjaku i mallit për syrin
Drojë e kahershme për fatin e nesërm
Hasmi pranë avlisë rri duke mbrehur thikën
Shqiponja si do t’i mbrojë këta zogj të vegjël
16. Kështu fjeti nipi një gjumë të mirë
Gjyshi lutej n’heshtje për t’bardhën ditë
Sa vjeshta të tilla, o Zot, plot mugëtirë
Kemi kaluar për t’shenjtën dritë, lirinë
17. Një zë i buçiti Gjyshit nga brenda
Ku jeni o njerëz në katër anët e globit
Mos ikni por kthehuni te vendlindja
Mos t’i lëmë nipat në duar të horrit
~ Mani
18 Tetor 2025
*në Pestovë të Vushtrrisë u vranë heroikisht nga policia serbe në pritë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
