Përfytyro nëse në ktë jetë këtu ke arritur të mbash diçka për vete, pa lënë gjurmë, sikurse sekretet e errëta të pavetëdijes, mendimet, ndjesitë që ja urren dhe vetes atje do të dihen nga i Madhi Zot, është në dorën e Tij të t’i fshijë nga ai “drajvi” i madh përfundimisht dhe plotësisht, pa u zbuluar para krijesave ose të t’i nxjerrë sheshit…O Zot , ç’mund të jetë kjo vetëm se një injorancë e madhe për veten tonë, shkujdesje aq e madhe për një realitet aq të prekshëm, (në kohën e sotshme teknologjia di më shumë për pavetëdijen tonë se ne) të cilin njerëzit e mohojnë të magjepsur, nga joshjet boshe dhe iluzionare të kësaj bote, të cilat nuk sjellin veçse zhgënjim, boshllëk, pikëllim, arratisje, prangosje… A ka ngushëllim pa ringjallje?! Një ringjallje e vërtetë, e fundme, pa kthim, pa mbetje, pa zbrapsje, ngatërrime, konfuzione, brengosje, barrë mëkatesh. Unë e di që kjo ringjallje do të ndodhë, në mënyrën që Ti e ke përshkruar. Por ajo më frikëson. Kush më garanton mua se të do dal nga kjo botë me llogari zero, pa borxhe, pa hatërpishmaní, pa shlyerje dhe larje hesapesh, me siguri tek Falja dhe Mëshira jote e madhe, veç Teje. Shpresa është e madhe, ama shpirti që Ti e di ç’përshpërit nuk e di sa do Të bindet Ty, që Ti të jesh i kënaqur e ta shpërblesh bujarisht me Mbulimin Hyjnor e ta nxjerrësh të pastërt nga kjo botë sikur foshnja e cila nuk është infektuar akoma me hilen dhe vesin e parë, fëmija që se ka bërë akoma prapësinë dhe rrengun e tij. Ktë ska mundësi ta bëj askush për mua, as unë për veten, veçse me përzgjedhjen dhe vullnetin Tënd, që unë të konsiderohem nga robërit e Tu të mirë.
Deri atëherë e di që prap do mëkatoj, do përsëris shumë gabime, do pendohem shumë herë e do kthehem për të fshirë gjurmët e mëkatit, por e di që e kam një shanc që kur Ti t’më marrësh pranë Vetes, do shpresoj të jem duke bërë këtë e të ngjallem në përpjekje për t’u kthyer siç më solle në këtë jetë, i pafajshëm, pa llogari, pa gjurmë, pa ndyerje, pa papastërti ;që i mora rrugës teksa rritesha dhe bëhesha gati për të ardhur në praninë Tënde si rob që e dhashë provimin, në pritje për të marrë përgjigjen që ma ngushëllon shpirtin përjetësisht, që atëbotë të kujtoj gjithçka të mirë e të jetë ndarë nga unë çdo e keqe e cila më mbante peng e ishte afruar tek unë, duke më mbajtur të lidhur me të. Po luftoj pikërisht për t’ja dalë që t’mos më brengosë asgjë veç përgjigjes për ngushëllimin që më jep shpresa në Bujarinë dhe Gjerësinë e Dhurimit Tënd, e cila nuk kushtëzohet nga askush (njerëzit) nga asgjë (vendi, koha). Ti çdo gjë e rikthen, e asgjeson, si të duash, kur të duash, në formën që Dëshiron Vetë. Tek Ti asgjë nuk humb, çdo gjë fitohet. Kush Të njeh, gjen Strehë, merr përgjigjet, rehaton shpirtin. Por Unë të njoh sa pak, ndaj dhe po vuaj nga bëmat dhe mosbëmat që më largojnë prej Teje dhe më hutojnë nga përkujtimi Yt. Shpëtimi nuk është nga rreziku që e ke krijuar Ti, por mosnjohja Jote, shkujdesja ndaj shpërfaqjes në krjimtari të Qenies Tënde dhe nderimit që ke bërë për ne, duke na dhënë mundësinë ta kuptojmë dhe përjetojmë shpalosjen Tënde të Bukurisë dhe Mëshirës duke qenë të lirë dhe me dëshirë. A ka Dashuri dhe Përkujdesje më të madhe se kjo?! E si të mos i ndëshkosh njerëzit me vuajtjen e mospranimit Tënd, kur ata refuzojnë të Të njohin Ty me të gjitha mirësitë dhe privilegjin që ju ke Dhuruar?! Askush nga ne s’ka të drejtë të rebelohet e të shmanget për të Drejtën Tënde ndaj nesh e Ti ke të drejtë të bësh ç’Të duash me ne, e s’pyet askënd, s’Të pengon asgjë. Ndaj kush t’u robërua me dëshirë u lartësua, kush s’tu përunj e me mendjemadhësi e mendjelehtësi u mashtrua, u poshtërua e humbi..E çfarë humbi, më të madhen, atë që kurrë ska për të Të gjetur e për Të njohur Më. S’të ka parë këtu e as s’ka për Të takuar atje. Se Ti zgjedh për ne, ne nuk të vendosim dot kushte Ty. Ti na ke dhënë lirinë, por ke për të na kërkuar xhevap për të. Sa me fat dhe sa të mjerë jemi. Nuk na e Ke bërë të vështirë, por ne ja vështirësojmë vetes. E vetmja rrugë që na shpie drejt, kah Ti, se ne jemi nisur për tu kthyer drejt Teje, është e rruga Jote, me Ty, për Ty, në mënyrën që Ti ke zgjedhur dhe rrugëtimin unik që ke zgjedhur për ne. S’ka ngushëllim dhe Strehim pos Teje. Ska Ikje dhe arratisje nga Ty. E vetmja rrugë, i Vetmi Ngushëllim është me Ty. Atëherë çdo gjë merr ngjyrim dhe kuptim. Atëherë zgjohet shpirti dhe zemra ngjallet sepse din për çka jeton.
Ibrahim Xhepmetaj
