Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Nigeri, vriten të paktën 411 terroristë të Boko Haram-it

Nigeri, vriten të paktën 411 terroristë të Boko Haram-it

Të paktën 411 pjesëtarë të organizatës terroriste Boko Haram janë vrarë në operacionet anti-terroriste të kryera nga forcat e sigurisë nigeriane gjatë fundjavës së kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ushtria nigeriane ka kryer sulme të ashpra nga toka dhe ajri në bazat e Boko Haramit në krahinën verilindore Borno, e cila llogaritet si çerdhe e kësaj organizate terroriste.

Pas sulmeve ajrore, pasuan sulmet tokësore ndaj kampeve terroriste në rajonin Gudumbali.

Mediat lokale raportojnë se të paktën 411 terroristë u vranë në kampe dhe qindra të tjerë u plagosën.

Të paktën nëntë ushtarë dhe policë nigerianë humbën jetën gjatë sulmeve tokësore.

Mbrëmë në sulmet terroriste në Maduguri u vranë 13 civilë dhe u plagosën 18 të tjerë, kurse zyrtarë të policisë nigeriane besojnë se sulmet janë kryer nga terroristët e Boko Haramit në shenjë hakmarrjeje për sulmet e ashpra ndaj kampeve të tyre.

Boko Haram është organizatë terroriste e themeluar në fillim të viteve 2000 nga ekstremisti Muhamed Jusuf për të luftuar të gjitha llojet e kulturës perëndimore, veçanërisht në sistemin arsimor të Nigerisë.

Jusuf në rrethana të paqarta vdiq në burg në vitin 2009, kurse Boko Haram intensifikoi aktivitetet terroriste dhe u bë një kërcënim global terrorist.

Exit mobile version