Ballina Artikuj Një epokë pa burime morali

Një epokë pa burime morali

Hoxhë Halil Avdulli

Në fund të shekullit XIX, Friedrich Nietzsche shpalli një nga tezat më të famshme të modernitetit: “Zoti ka vdekur.” Kjo shënoi fillimin e një epoke të re, ku njeriu çlirohet nga çdo autoritet i jashtëm moral, metafizik apo hyjnor; njeriu vendoset në qendër dhe ai vetë bëhet burimi i çdo gjëje, për rrjedhojë vlerat fillojnë të relativizohen.

Moderniteti perëndimor nuk u ndal këtu. Ai vazhdoi të zhvillohej derisa arriti në pikën kur shpalli edhe “vdekjen e djallit”.

Ky koncept nuk i referohet zhdukjes së djallit si qenie metafizike, por është shenjë e një ndryshimi të thellë kulturor dhe etik në Perëndim. Nëse shpallja e Niçes se “Zoti ka vdekur” nënkupton heqjen dorë nga burimi i së mirës, atëherë “vdekja e djallit” nënkupton zhdukjen e kategorisë së së keqes.

Relativizmi moral arrin në një shkallë të tillë, sa bëhet pothuajse e pamundur të dallohet e mira nga e keqja. Mungesa e djallit nuk është thjesht mungesë e një figure metafizike që sipas fesë i bën cytje njeriut të bëjë keq, por mungesë e një kornize brenda së cilës njeriu e kupton se çfarë është devijim dhe çfarë është zgjedhje etike.

Nëse djalli “vjen”, kjo presupozon se Zoti ekziston; do të thotë se ekzistojnë si e mira, ashtu edhe e keqja si realitete të qëndrueshme. Dhe kur njeriu zgjedh të keqen, ai e di se po zgjedh të keqen; kur zgjedh të mirën, e bën me vetëdije se po zgjedh të mirën.

Por kur djalli “vdes”, pra kur koncepti i së keqes zhduket nga ndërgjegjja kolektive, sjelljet njerëzore trajtohen si procese biologjike neutrale, pa peshë morale, pa orientim, pa kufij mes së mirës dhe së keqes. Në këtë pikë, njeriu shndërrohet në një “material të përdorshëm”, një qenie e reduktuar në trup, instinkt dhe funksionalitet.

Për të shpjeguar këtë ndryshim thelbësor, Mesiri jep një shembull domethënës që e përdor shpesh në bisedat e tij me dijetarë dhe juristë islamë.

Në traditën islame thuhet se kur një burr vetmohet me nje grua të huaj, “shejtani është i treti i tyre” një metaforë që kujton se ekziston një dimension moral që orienton sjelljen.

Por në kulturën moderne, shejtani nuk vjen fare.

Kjo nënkupton se marrëdhënia midis burrit dhe gruas nuk shihet më si një veprim brenda kornizës morale, por si një akt neutral biologjik, pa të mirë e pa të keqe. Njeriu e humb ndjesinë e kufirit, sepse nuk ekziston më kategoria e devijimit moral.

E njëjta gjë vërehet në faktin se para pak vitesh ekspozimi i trupit në publik konsiderohej i turpshëm, ndërsa sot në kryeqytetet e botës ekspozimi i trupit shihet si shenjë “progresi”.

Ky ndryshim nuk lindi nga një teori morale, por nga zhdukja e vetë moralit si kriter vlerësimi. Ajo që dikur konsiderohej devijim, sot trajtohet si normë e neutralizuar dhe e pranuar teknikisht.

Me pak fjalë, “vdekja e djallit” është metafora që shpjegon kalimin nga relativizmi në nihilizëm moral. Pas mohimit të burimit të së mirës (Zotit), moderniteti arrin të mohojë edhe burimin e së keqes (djallin). Dhe kur të dy këto kategori zhduken, ajo që mbetet është një botë e zhveshur nga çdo vlerë transcendentalë një botë ku njeriu orienton jetën e tij vetëm përmes impulseve, dëshirave, trendeve dhe funksionalitetit teknik.

Një përpjekje për të përmbledhur dhe shpjeguar idenë e Abdul-Wahhab Mesirit në kritikën e tij të thellë ndaj modernitetit.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version