Një person ka humbur jetën ndërsa rreth 300 ndërtesa janë shkatërruar nga zjarret që kanë përfshirë shkurret në Australinë juglindore, raportuan mediat lokale të dielën, transmeton Anadolu.
Një ndalim total i zjarrit është në fuqi në të gjithë Viktorian verilindore dhe veri-qendrore ndërsa cilësia e ajrit pritet të përkeqësohet nga sot, pasi më shumë se 20 zjarre të shkurreve vazhdojnë të digjen, përfshirë dy në nivel emergjence, sipas transmetuesit publik ABC.
Zjarri pranë Walwa-s në verilindje të Viktorias, afër kufirit me Uellsin e Ri Jugor, mbetet nën një paralajmërim emergjence. Një tjetër alarm emergjence që i këshillon banorët të strehohen menjëherë, u lëshua për Irrewillipe në jugperëndim të shtetit, ku një zjarr në Otways po përhapet nga lumi Carlisle drejt Bungadorit.
Policia e Viktorias tha të dielën vonë se një person është gjetur i vdekur në një zonë të prekur nga zjarri në Longwood pranë qytetit qendror viktorian të Goburit.
Trupi u gjet rreth 100 metra nga një automjet pasi ekipet e emergjencës arritën në zonë më herët gjatë ditës.
Në një deklaratë kryeministrja e Viktorias, Jacinta Allan tha se mendimet e saj ishin me familjen dhe të afërmit e viktimës. “Kjo humbje shënon vdekjen e parë të njohur të lidhur me zjarrin gjatë asaj që ka qenë tashmë një periudhë tepër sfiduese për shtetin tonë”, tha ajo.
Autoritetet nuk e kanë identifikuar zyrtarisht personin dhe një raport i mjekut ligjor do të përgatitet. Deri të dielën në mbrëmje, zjarret në shkurre dogjën afër 390 mijë hektarë në të gjithë rajonin e Viktorias.
