Një person humbi jetën dhe një tjetër u lëndua rëndë pasi dy helikopterë u përplasën në ajër në shtetin amerikan New Jersey të dielën, thanë autoritetet, transmeton Anadolu.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha në një deklaratë se një helikopter “Enstrom F-28A” dhe një “Enstrom 280C” “u përplasën në ajër pranë Aeroportit Komunal Hammonton në New Jersey rreth orës 11:25 me kohën lokale”.
Sipas policisë, të dy helikopterët u rrëzuan dhe njëri prej tyre mori zjarr. Një person humbi jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër u nxor nga rrënojat dhe u dërgua në spital në gjendje kritike.
FAA-ja tha se në secilin helikopter ndodheshin vetëm pilotët.
“FAA-ja dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) do zhvillojnë hetime. NTSB-ja do të jetë përgjegjëse për hetimin dhe do të japë përditësime të mëtejshme”, shtoi agjencia.
