Një i ri palestinez u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga plumbat gjatë një sulmi të kolonëve izraelitë në fshatin Qusra, në jug të Nablusit, mbrëmjen e së shtunës.
Sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, viktima është Amir Mutasim Mahmoud Odeh (28), i cili u qëllua me armë zjarri në gjoks nga kolonët dhe më vonë ndërroi jetë në spital.
Burime mjekësore njoftuan se edhe dy persona të tjerë u plagosën me plumba në gju dhe kofshë, ndërsa babai i viktimës u sulmua fizikisht gjatë sulmit. Kolonë të armatosur kishin hapur zjarr drejt shtëpive dhe banorëve në zonën perëndimore të fshatit.
Të plagosurit fillimisht u dërguan në një qendër mjekësore lokale dhe më pas në Spitalin Qeveritar Rafidia në Nablus, ku mjekët tentuan ta reanimonin të riun, por ai nuk arriti të mbijetojë.
Sipas Komisionit Palestinez të Rezistencës për Murin dhe Vendbanimet, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e kolonëve që nga fillimi i këtij muaji ka arritur në shtatë, ndërsa që nga fillimi i vitit në tetë. Ndërkohë, që nga tetori i vitit 2023 numri i viktimave ka arritur në 44, në mes të rritjes së sulmeve ndaj fshatrave palestineze në Bregun Perëndimor. /mesazhi
