Ballina Lajmet Kosovë Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Izbicë të...

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Izbicë të Skenderajt

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit M.A. për veprën penale Krime lufte kundër popullsisë civile.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, njofton se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.A. për veprat penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile e paraparë dhe sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë(RSFJ) i cili ligj ishte në fuqi në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale, vepër kjo e paraparë dhe e sanksionuar edhe me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës(KPRK-së) me nr. 06/L-074 Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Të pandehurit  M.A.  gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, përkatësisht deri më datën 29.05.2021.  Masa e paraburgimit të pandehurit M.A. i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1 dhe 2 pika 1.2.1 të KPPRK-së. Gjyqtari  i  procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehurit në liri mund të arratiset nga vendi apo fshihet me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe me këtë do të ndikonte në zvarritjen e procedurës penale. I pandehuri M.A. dyshohet se me datë 28.03.1999 rreth orës 07:00 së bashku me një grup i përbërë mbi 50 veta të forcave ushtarake dhe policore serbe, kishin hyrë në fashtin Izbicë,  fillimisht e kishin bombarduar fshatin duke shkatërruar shtëpitë dhe pasurinë e civilëve dhe në këtë mënyrë i kishin detyruar civilët që të dalin nga shtëpitë dhe i kishin grumbulluar në një vend dhe me forcë dhe kërcënim i kishin detyruar gratë dhe fëmijët që të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës, ndërsa  mbi 140 burra i kishin grumbulluar në një vend të quajtur ‘’Kodra e Zallit’’ dhe të njëjtit i kishin vrarë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Exit mobile version