Ballina Artikuj Njeriu është qenia që harron se harron – Halil Avdulli

Njeriu është qenia që harron se harron – Halil Avdulli

Kur filozofi maroken Taha Abdurrahman deshi ta përkufizonte njeriun bashkëkohor në librin e tij Shpirti i fesë, ai nuk iu drejtua përshkrimeve të zakonshme antropologjike apo psikologjike, por dha një përkufizim interesant dhe tejet të thellë:

“Njeriu është qenia që harron se harron.”

Ai është krijesa e harresës së gjithanshme:
harron Krijuesin dhe Furnizuesin e tij,
harron qëllimin e ekzistencës dhe arsyen e krijimit,
harron familjen dhe ata që e rrethojnë,
madje – dhe kjo është më e rrezikshmja – harron se është vetë i zhytur në harresë.

Kjo harresë totale, sipas Taha Abdurrahmanit, është shkaku themelor i krizës së njeriut modern:
një njeri që zotëroi mjetet e dijes, por humbi kuptimin e amanetit;
që fitoi pushtet, por humbi ndërgjegjen.

Taha Abdurrahmani niset nga një vizion që ai e quan filozofia e amanetit, sipas së cilës njeriu nuk është pronar i asaj që ka në dorë, por ajo i është besuar atij.
Pasuria, pushteti, dija, trupi dhe jeta… të gjitha janë amanete, jo prona të njeriut.
Vetëm Zoti është Pronari i çdo gjëje, i Cili ia ka huazuar njeriut të gjitha këto të mira.

Ky koncept qëndron në kundërshtim të plotë me filozofinë materialiste, e cila e ka vendosur njeriun në qendër të universit, duke i dhënë të drejtën të sillet me ekzistencën si pronar absolut.

Marrëdhënia midis robit dhe Zotit nuk është marrëdhënie sundimi shtypës, por marrëdhënie besëlidhjeje.
Njeriu e ka pranuar këtë marrëveshje që në botën e parë (shpirtërore), kur dëshmoi Zotin si Zot, dhe që nga ai çast është bërë moralisht përgjegjës për gjithçka që i është besuar.

Në këtë kuadër, dy vlerat themelore që i duhen njeriut janë:
Sinqeriteti dhe Amaneti.

Historia dëshmon se titulli i Profetit ﷺ para shpalljes – “i sinqerti dhe i besuari” – nuk ishte rastësi, por shprehje e faktit se këto dy vlera janë themeli i të gjitha vlerave.

Sinqeriteti është vlerë e mendjes:
me të kuptimi bëhet i saktë,
perceptimi drejtohet,
dhe arsyeja çlirohet nga mashtrimi.

Amaneti është vlerë e vullnetit:
me të rregullohen veprimet,
frenohen dëshirat,
dhe ruhen përgjegjësitë.

Prandaj Profeti ﷺ i edukoi shokët e tij në Mekë mbi sinqeritetin, si themel i besimit dhe mendimit, ndërsa në Medinë i edukoi mbi amanetin, kur thirrja kaloi nga faza e besimit në fazën e ndërtimit shoqëror.

Nga këto dy vlera burojnë të gjitha virtytet e tjera:
drejtësia, bamirësia, besnikëria, mëshira dhe liria e përgjegjshme.

Nga arsyeja te veprimi: dija që buron nga pastrimi shpirtëror

Në thelb të këtij projekti, Taha Abdurrahmani takohet edhe me përvojën e Imam Gazaliut.
Të dy e kuptuan se arsyeja, sado e lartë të jetë, mbetet e kufizuar nëse lihet e vetme, dhe se dija e vërtetë nuk fitohet vetëm me argumentim, por hapet përmes veprës së mirë:

﴿Druajuni Allahut dhe Allahu do t’ju mësojë﴾

Prej këtu vendoset një parim thelbësor i filozofisë islame:
se dija morale është fryt i pastrimit shpirtëror,
dhe se zemra, kur pastrohet, bëhet vend i urtësisë dhe i frymëzimit hyjnor.

Një filozofi që e kthen njeriun te vetvetja

Një përpjekje serioze për ta shpëtuar njeriun nga humbja bashkëkohore:
1. ta nxjerrë nga iluzioni i pronësisë në të vërtetën e amanetit;
2. nga robëria e materies në lirinë e besëlidhjes;
3. dhe nga harresa e harresës në zgjimin e ndërgjegjes.

▪️ Të kujtojmë se na është besuar, para se të mendojmë se jemi pronarë.
▪️ Ta kujtojmë se jemi përgjegjës, para se të kërkojmë të drejta.
▪️ Ta kuptojmë se sinqeriteti dhe amaneti nuk janë thjesht virtyte të bukura,
por themeli i gjithë ekzistencës njerëzore.

Exit mobile version