Ballina Lajmet Kosovë Osmani në OKB: Vuçiq i strehoi dhe mbrojti ata që kryen krime...

Osmani në OKB: Vuçiq i strehoi dhe mbrojti ata që kryen krime në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se presidenti serb, Aleksander Vuçiq ka strehuar, mbrojtur dhe promovuar policët dhe ushtarakët që kryen krime gjatë luftës në Kosovë.

Në paraqitjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Osmani përmendi disa të mijetuar të masakrave dhe gra të mbijetuara të dhunës seksuale, siç është rasti i Vasfije Krasniqit.

“Pesë ditë më parë, shënuam 25-vjetorin e një prej masakrave më të rënda dhe çnjerëzore nga regjimi i Millosheviqit. Elhame Muçolli, që po më shoqëron sot mua në këtë takim, ishte vetëm 14-vjeçare kur shtëpia e saj u bastis nga forcat policore të Serbisë. 53 civilë – shumica fëmijë – ishin vrarë pasi ishin tubuar në një dhomë. Teksa policia u largua për t’u rifurnizuar, Elhamja ia doli të kërcente nga dritarja dhe të ikte, ani pse ishte e plagosur nga plumbat. Shkurt pas kësaj, policia u kthye e furnizuar me benzinë duke ua vënë flakën të gjithë 53 civilëve. Elhamja kurrë nuk ia doli të harronte piskamën shurdhuese të disa prej fëmijëve që ishin ende gjallë teksa po bëheshin shkrumb e hi. Dhe sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, policia ua vuri flakën përsëri e përsëri. Fëmijë të vegjël, më të vegjlit 6 dhe 10 muajsh, ishin djegur në përpjekje për t’i shfarosur nga faqja e dheut veç pse ishin shqiptar; sepse i përkisnin etnisë tjetër nga ajo e policisë dhe ushtrisë”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se Vuçiqi ne këtë sallë mund të dëgjohet duke propaganduar, por sipas saj, e vërteta është se ai kurrë nuk e ka pranuar përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme në Kosovë.

“Pra, zonja dhe zotërinj, ju mund të dëgjoni propagandën e Vuçiqit dhe ta lejoni ta shtyjë përpara revizionizmin e tij historik të bazuar në skenarin e Rusisë, por e vetmja e vërtetë për regjimin e Vuçiqit është ajo që është në mohim të vazhdueshëm dhe duke mos pranuar kurrë përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme; asnjëherë duke mos kërkuar falje apo duke shfaqur shenja pendimi. Kurrë! Masakra e Poklekut, si të gjitha masakrat tjera nëpër Kosovë, tregoi se Millosheviqi dhe ministri i tij i atëhershëm i propagandës, sot i ulur në karrigen e Presidentit, jo vetëm që kërkonin t’i shfarosnin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut, por donin t’i zhduknin edhe proavet dhe të mos kishte dëshmitar. Megjithatë, ata dështuan pareshtur. Elhamja mbijetoi për t’i treguar botës historinë e familjes dhe kombit të saj. Pavarësisht se humbi nënën, tri motrat, dy vëllezërit dhe shumë kushërinj gjatë kësaj masakre, ajo është kthyer në mishërim të vërtetë të qëndresës dhe forcës dhe në mbrojtëse të palëkundur e së vërtetës dhe luftës për drejtësi”, tha ndër të tjera Osmani.

Sa i përket të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Godman, Osmani tha se jo ka qenë vetëm 16 vjeçare kur është dhunuar dy herë nga forcat serbe, derisa shtoi se tani ajo është zë i shumë grave dhe popujve të vuajtur nga dhuna në shtete të ndryshme të botës.

Exit mobile version