Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Paralajmërimi i BE: Italia do të përfundojë keq

Paralajmërimi i BE: Italia do të përfundojë keq

Bashkimi Europian paralajmëron Romën, se populli italian mund të përfundojë shumë keq nëse vazhdon me planet e qeverisë populiste që është aktualisht në pushtet në vend.

Populli italian do të përfundojë keq nga planet e qeverisë populiste për shpenzime ambicioze, paralajmëroi Bashkimi Evropian. Është ky paralajmërimi i komisionerit për Ekonomi i BE-së, Pierre Moscovici, i cili shkroi se planet për deficit buxhetor, për 2.4% të prodhimit të brendshëm bruto, vetëm se do të rrisin edhe më shumë borxhin e Italisë prej 2.3 trilionë eurosh. Por, Qeveria e Italisë, e cila mohon se kërkon konflikt me Brukselin, thotë se borxhi do të ulet. Megjithatë, deklarata për buxhetin bëri që tregjet në Itali të bien për gati 4% të premten, ndërsa euro ra nën 1.16 dollarë, për herë të parë në dy javë.

Moscovic theksoi se Komisioni Evropian nuk ka interes për ndonjë krizë me Italinë, por shtoi se Italia nuk po i respekton rregullat dhe nuk po e zvogëlon borxhin e saj shpërthyes. Vendimi i Italisë për buxhetin është nën kufirin e BE-së për deficit prej 3% të prodhimit vendor bruto.

Por, Italia, ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, ka premtuar se do të ulë borxhin e saj, i cili qëndron në 131% të prodhimit kombëtar – i dyti pas Greqisë.

Zyrtarët dhe diplomatët në Bruksel ende shpresojnë se forcat e tregut do ta bindin Italinë që të ndryshojë planet buxhetore, përpara se ato t’i dorëzohen formalisht Komisionit të BE-së, në mes të tetorit. Nëse objektivat e deficitit mbeten të pandryshuara deri në afatin e tetorit, Komisioni mund t’ia refuzojë projektbuxhetin Italisë, një vendim ky i paprecedentë./abcnews.al

Exit mobile version