Në muajin e bekuar të Ramazanit, ruajtja e gjuhës është një aspekt thelbësor i agjërimit dhe devotshmërisë.
Islami na mëson se agjërimi nuk është vetëm të ndalohemi nga ngrënia dhe pirja, por edhe nga fjalët dhe veprimet e këqija.
I Dërguari i Allahut Muhamedi alejhi selam ka thënë:
“Kush nuk heq dorë nga fjalët e pavërteta dhe veprimet e këqija, Allahu nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga ushqimi dhe pija.” (Buhariu)
Kjo na tregon se gjatë Ramazanit duhet të jemi të kujdesshëm me gjuhën tonë, duke u larguar nga:
• Gënjeshtrat dhe mashtrimet,
• Thashethemet dhe përgojimi (gibeti),
• Sharjet dhe fjalët e pahijshme,
• Grindjet dhe fjalët që lëndojnë të tjerët.
Në vend të këtyre, duhet të angazhohemi në:
• Përmendjen e Allahut (dhikr),
• Leximin dhe meditimin mbi Kuranin,
• Fjalët e mira dhe këshillat e dobishme,
• Faljen dhe durimin në komunikim, etj.
Duke ruajtur gjuhën, ne jo vetëm që e bëjmë agjërimin më të vlefshëm, por edhe përfitojmë shpirtërisht.
Ramazani është dritë në zemër, paqe në shpirt dhe bekim në çdo frymëmarrje.
Në këtë aspekt fjalët e mira i kontribojnë kësaj atmosfere.
Në Ramazan është koha kur zemrat afrohen, falja mbizotëron dhe lutjet prekin qiellin.
Qoftë Ramazani një muaj i fjalëve të mira, durimit dhe largimit nga fjalët e liga për të gjithë ne.
Hoxhë Sadik Avdiu
