Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Përfundojnë protestat në Sarajevë, të rinjtë paraqesin kërkesa të reja dhe paralajmërojnë...

Përfundojnë protestat në Sarajevë, të rinjtë paraqesin kërkesa të reja dhe paralajmërojnë tubim të madh të shtunën

Në Sarajevë ka përfunduar dita e gjashtë e protestave të njëpasnjëshme të udhëhequra nga nxënës dhe studentë, të nxitura nga aksidenti me tramvaj ku humbi jetën një person, ndërsa një e mitur mbeti e lënduar rëndë, raporton Anadolu.

Tubimi edhe sot nisi para Muzeut Kombëtar, përkatësisht në vendin e tragjedisë, me bllokim të trafikut dhe marshim paqësor drejt qendrës së kryeqytetit.

Qindra qytetarë dërguan mesazhe për drejtësi dhe përgjegjësi, duke mbajtur pankarta me mbishkrime “Duart i keni të përgjakura”, “Drejtësi” dhe “Çfarë tjetër duhet të ndodhë që ta kuptosh”. Në krye të kolonës ishte edhe një pankartë e re me mbishkrimin “Nuk jemi huliganë, mbrojmë dinjitetin, me respekt dhe paqe dërgojmë mesazhin”.

Gjatë fjalimeve, të rinjtë paraqitën kërkesa të reja, përfshirë sanimin urgjent të rreziqeve të sigurisë, emërimin e drejtuesve profesionalë në institucionet përgjegjëse, rishikimin e buxhetit për investime në flotën e mjeteve dhe mirëmbajtje, si dhe publikimin e një plani me emrat e përgjegjësve dhe afate të qarta prej 30, 60 dhe 90 ditësh. Ata kërkuan edhe vendosjen e kritereve të qarta për ndarjen e ndihmës sociale.

Më herët, protestuesit kishin kërkuar transparencë të plotë mbi hetimin e aksidentit, përfshirë të dhënat mbi servisimin e tramvajit dhe pamjet nga brenda mjetit, tërheqjen e tramvajeve të vjetër deri në kontroll të ri teknik, dorëheqjen e përgjegjësve dhe transport publik të sigurt.

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kantonit të Sarajevës, Nihad Uk, një pjesë e fokusit u drejtua edhe te ministrja e Arsimit, Naida Hota-Muminoviq, e cila mohoi pretendimet se nxënësve u ishte ndaluar pjesëmarrja në protesta.

Në adresimet emocionale, studentët folën për frikën dhe humbjen e besimit në institucione, duke theksuar se protestat nuk kanë prapavijë politike, por synojnë siguri dhe përgjegjësi.

Organizatorët njoftuan një pauzë dyditore dhe paralajmëruan një tubim të madh protestues të shtunën në orën 12:00, duke theksuar se nuk do të ndalen derisa kërkesat të plotësohen dhe transporti publik të bëhet i sigurt për të gjithë.

Pak para përfundimit të protestave ndodhi një incident pranë Qendrës Skenderija, kur një drejtues automjeti lëvizi me makinë drejt qytetarëve të mbledhur. Sipas autoriteteve, me ndërhyrjen e shpejtë të policisë, personi u ndalua nën dyshimin për pengim të zyrtarit në kryerjen e detyrës dhe posedim të paautorizuar të lëndëve narkotike.

Exit mobile version