Ballina Lajmet Perimet nga Shqipëria në Kosovë, analizat s’kanë gjetur elemente të dëmshme

Perimet nga Shqipëria në Kosovë, analizat s’kanë gjetur elemente të dëmshme

Vetëm gjatë një dite, së paku 30 tonë perime – kryesisht domate, tranguj e speca – importohen nga Shqipëria në Kosovë.

Por, analizat laboratorike për nivelin e nitrateve, mbetjeve të pesticideve dhe metaleve të rënda iu bëhen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vetëm në rastet kur kanë dyshime nga gjendja fizike.

“Produktet kanë qenë pa ndonjë ndryshim nga pikëpamja organoleptike. Ndërsa kur kemi dyshime i dërgojmë për analiza në Institutin Bujqësor të Kosovës, në Pejë”, tha Nedime Kalanderi, inspektore kufitare.

Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Skënder Kaqiu tregon se këto parametra është e pamundur të dallohen nga pamja e jashtme.

“Nuk ekziston ndonjë metodë vizuale mbi bazën e të cilës ne të themi se një produkt përmban më shumë apo më pak nitrate. Duhet të përdoren metoda dhe analiza standarde për përcaktimin e këtyre parametrave”, tha profesor Skënder Kaqiu.

Këto analiza nuk arrijnë të kryhen as në Shqipëri. “Top Story” solli dëshmi se laboratori për analiza i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë nuk është i akredituar. Në këtë mënyrë, në tregjet e Kosovës kanë hyrë nga viti 2018 perime në sasinë prej 23 milionë kilogramë.

Shqetësimet e konsumatorëve për cilësinë e prodhimeve u rritën në veçanti pas transmetimit të hulumtimit të “Top Story”-t për rrezikun nga ushqimi. Megjithëkëtë, në Agjencinë e Ushqimit thonë se të gjitha produktet që kontrollohen i përmbushin kriteret për konsum.

Exit mobile version