Ballina Artikuj Peshorja ( terezia) në Kuran

Peshorja ( terezia) në Kuran

Hoxhë Halil Avdulli

Shumë njerëz mendojnë se fjala “peshore” në Kur’an është veç drejtësi ose mjet tregu.

Por kur e meditojmë tekstin, kuptojmë se peshorja është vetë struktura që mban fenë.

Nëse prishet ajo, prishet gjithçka: besimi, namazi, xheneti, madje edhe imazhi i Zotit në ndërgjegje.

• “Dhe qiellin e ngriti e vendosi peshoren” (Rahman 7)

↳ Vetë kozmosi qëndron mbi një inxhinieri të saktë; peshorja nuk është shpikje njerëzore, por ligj i Zotit në kozmos.

• “Që të mos tejkaloni në peshore” (Rahman 😎

↳ Tejkalimi këtu s’është vetëm mashtrim tregu, por çdo shkelje e drejtësisë në mendim, gjykim e fe.

• “Vendoseni peshoren me drejtësi” (Rahman 9)

↳ Të ngresh peshoren me drejtësi do të thotë të rregullosh çdo gjë: nga çmimi i bukës te shpërndarja e pushtetit, te interpretimi i teksteve.

• “Ne ua zbritëm atyre Librin dhe peshoren” (Hadid 25)

↳ Libri nuk mjafton vetë; ai ka nevojë për peshore që zbërthen e rindërton kuptimin, ndryshe kthehet në mjet shtypjeje.

———

1. Në treg:

Kush mashtron në cilësi, ka humbur peshoren. Nuk është veç faj tregtar, por tradhti ndaj Zotit që e vendosi peshoren.

2. Në gjykatë:

Kush e fal të fortin e dënon të dobëtin, ka shqyer peshoren. Nuk është thjesht korrupsion, por dhunim i arkitekturës së qiellit.

3. Në mendimin fetar:

Kush e shpjegon xhenetin veç si huria e qumësht, pa balancë simbolike, ka humbur peshoren. Kush i jep përparësi rrëfimeve mbi tekstin, ka përmbysur Librin.

4. Në marrëdhënie:

Kush e shtyp kundërshtarin nga urrejtja ose mbron mikun në padrejtësi, ka thyer peshoren. Nuk është veç mangësi morali, por prishje e funksionit hyjnor në shpirt.

5. Në pasuri:

Kush grumbullon pasuri e lë njerëzit të uritur, kush ngre projekte vetëm për të pasurit, ka humbur peshoren. Nuk është veç çrregullim ekonomik, por tradhti ndaj Librit dhe peshorës bashkë.

Peshorja nuk është ide, por provë e përditshme.

Kush e mban, ka ngritur fenë. Kush e shkel, e ka rrënuar fenë – edhe po të falë namaz e të agjërojë.

Ky është kuptimi praktik që del nga vetë teksti:

nuk i ngjan komenteve klasike, as nuk i shërben zakonit, por e rindërton vetëdijen prej rrënjës – dhe trondit këdo që mendon se feja është vetëm ritual, jo arkitekturë.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version