Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pikiata e frikshme e Edi Ramës: nga “qytetari me mision” te autokrati...

Pikiata e frikshme e Edi Ramës: nga “qytetari me mision” te autokrati në panik

Sot po dëshmon se misioni i tij nuk ishte Evropa, por pushteti

Kur mori pushtetin 13 vite më parë, Edi Rama premtoi se nuk do të ishte një politikan i zakonshëm. Në tribunat elektorale paraqitej si një “qytetar me mision”, një reformator që do ta shkëpuste Shqipërinë nga tranzicioni i pafund dhe do ta afronte përfundimisht me Evropën.

Imazhi ishte i kuruar me kujdes: një kryeministër artist, ndryshe nga të tjerët, që fliste për modernizim, integrim dhe shtet perëndimor. Në sfond, jo rrallë, dukej edhe përpjekja për të krijuar një aureolë historike, si një figurë që do të mbahej mend për një mision kombëtar, pothuajse në përmasat e themeluesve të shtetit shqiptar.

Sot, përballë revoltës qytetare dhe një lëvizjeje këmbëngulëse që nuk po zbehet, ky imazh po shpërbëhet me shpejtësi. Në vend të reformatorit evropian, po na shfaqet një udhëheqës që e ka gjithnjë e më të vështirë të tolerojë kundërshtimin dhe që po përdor instrumentet më të vjetra të pushtetit për të delegjitimuar kritikët e tij.

Reagimi i parë i Ramës ndaj protestave ishte shpërfillja. Ai deklaroi se ato ishin thjesht “një muhabet” që do të mbyllej më 12 qershor, sapo të fillonte Botërori dhe sezoni i plazhit. Ishte një llogari cinike, e ndërtuar mbi bindjen se qytetarët shqiptarë harrojnë shpejt dhe se pakënaqësia publike mund të mposhtet nga rutina e përditshme.

Por kur protestat vazhduan dhe qytetarët nuk u larguan nga sheshet, pushteti ndryshoi strategji. Nga minimizimi u kalua te sulmi. Në shënjestër u vunë figura publike, artistë, aktivistë dhe influencerë që shprehën mbështetje për protestuesit.

Në vend të debatit mbi kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve, nisi një fushatë diskreditimi personal. Disa u akuzuan për mospagim taksash, të tjerëve iu vunë në diskutim mënyrat e jetesës apo morali personal.

Ishte një përpjekje e qartë për të zhvendosur vëmendjen nga problemi te personi, nga argumenti te sulmi. Por zhvillimi më shqetësues erdhi më pas. Një pjesë e oborrit mediatik dhe propagandistik të qeverisë nisi të ndërtojë narrativën e armikut të jashtëm.

Në mungesë të argumenteve bindëse, në shënjestër u vunë shqiptarët e Kosovës. Disa po akuzohen se po veprojnë për interesa politike të Albin Kurtit, ndërsa të tjerë etiketohen në mënyrë absurde si faktorë destabilizues që po importojnë tensione në Shqipëri.

Madje, në raste të caktuara, janë përdoror krahasime djallëzore dhe fyese me agjentë të UDB-së apo me “agjentë të Teheranit”, duke mos kursyer edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së. Dhe kjo nuk është më polemikë politike, por logjika klasike e regjimeve që e shohin çdo kundërshtar si tradhtar dhe çdo kritikë si komplot.

Është e njëjta mendësi që Vladimir Putini përdor në Rusi, Aleksandër Llukashenko në Bjellorusi apo Aleksandar Vuçiçi në Serbi, ku kundërshtarët politikë shpallen “agjentë të huaj” sa herë që pushteti nuk arrin t’u përgjigjet pyetjeve që ngre shoqëria.

Sigurisht, Shqipëria nuk është Rusia dhe Rama nuk ka mundësi të ndërtojë një sistem të ngjashëm me atë të Moskës apo Minskut. Por alarmi nuk qëndron te krahasimi mekanik i sistemeve. Ai qëndron te ngjashmëria e mendësisë.

Sepse momenti kur një qeveri fillon të përçajë shqiptarët mes tyre për të mbrojtur pushtetin e vet, është momenti kur ajo largohet nga standardet evropiane që pretendon të përfaqësojë.

Paradoksi më i madh është se kjo lëvizje qytetare po arrin të zbulojë atë që opozita nuk ka mundur të nxjerrë në pah për vite me radhë: nervozizmin dhe pasigurinë e një pushteti që nuk është mësuar të dëgjojë.

Sa më shumë vazhdojnë protestat, aq më shumë bien maskat dhe aq më e dukshme bëhet kontradikta mes imazhit që Rama ka ndërtuar për veten dhe realitetit të sjelljes së tij politike.

Rama hyri në politikë me premtimin e madh të integrimit evropian. Por sot, përmes sulmeve ndaj zërave kritikë, përmes përpjekjeve për të delegjitimuar kundërshtarët dhe përmes gjuhës së përçarjes, ai po dëshmon se misioni i tij nuk ishte Evropa, por pushteti.

Ai mund të vazhdojë ta shohë veten si një figurë historike që do të kujtohet për transformimin e Shqipërisë. Por historia zakonisht është më pak e interesuar për mënyrën si e sheh veten një lider dhe më shumë për atë që ai lë pas.

Dhe nëse vazhdon në këtë rrugë, Edi Rama rrezikon të mbahet mend jo si njeriu që e afroi Shqipërinë me Evropën, por si politikani që për të ruajtur pushtetin, adoptoi metodat më të vjetra dhe më të errëta të autokracisë, si një autokrat në panik. \tesheshi

Exit mobile version