Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Polakët presin krahëhapur ukrainasit në kufi

Polakët presin krahëhapur ukrainasit në kufi

Evropës edhe një herë i janë kthyer pamjet e viteve ’90. Ato të kufijve me refugjatë të ikur nga lufta.

Afër gjysmë milioni ukrainas kanë braktisur shtëpitë e tyre. Në kërkim të sigurisë, ia kanë mësyrë kufijve me Poloninë, Rumaninë dhe shteteve të tjera perëndimore.

Të shtunën, dhjetëra vullnetarë kanë dalë në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës për t’u ofruar ndihmë refugjatëve.

Në mesin e këtyre vullnetarëve ishte edhe gjermania, Tanja Shwarzc. Erdhi nga Hamburgu me bashkëshortin e saj. Qëllimi ishte që të merrnin në shtëpinë e tyre disa ukrainas që kalonin kufirin.

“Erdha nga Hamburgu me burrin tim, sepse vendosëm se duhej të bënim diçka kur dëgjuam bombat dhe sulmet e Rusisë së Putinit, u ndiem shumë keq. E ndiem se shteti ynë nuk ka ndihmuar mjaftueshëm dhe nuk e parandaloi këtë”, ka deklaruar Shwarze.

Mijëra refugjatë kanë ecur në këmbë me kilometra, ndërsa shumë të tjerë kanë ikur me tren, autobus dhe automjete.

Është vlerësuar se dy milionë ukrainas ndodheshin në Poloni me punë. Shumica prej tyre kanë pritur të afërmit në kufi.

Qindra ukrainas dhe shtetas të tjerë në Poloni kanë mbajtur pankarta me emrat e atyre që po i prisnin, ose me emrat e qyteteve që mund t’i dërgonin.

Polaku Radoslaw Nowak thoshte se e ka me patjetër për t’i ndihmuar ukrainasit.

“A i keni parë fëmijët e vegjël. Duhet t’i ndihmojmë. Duhet t’i ndihmojmë”, ka deklaruar ai.

Shumë prej tyre kanë ofruar strehë deri në qytetet më të largëta polake.

“Po qëndrojmë këtu për t’i ndihmuar ukrainasit dhe për t’i transportuar në vende të sigurta. Unë do t’i dërgoj deri në Gdansk. Kemi organizuar akomodimin dhe kemi një apartament për ata. Gjithçka do ta bëjmë falas”, ka shtuar ai.

Disa ukrainas ani pse janë me qindra kilometra larg shtëpisë, janë të bindur se do të kthehen.

Njëra prej tyre është edhe Marta Uchatiuk nga Sambiri i Ukrainës.

“Jam nga Sambiri në Ukrainë. Kjo është vendlindja ime. Rusët që erdhën në shtëpinë tonë janë pushtues dhe duhet të largohen. Nuk kam frikë. Do të kthehem në shtëpi”, ka theksuar Uchatiuk.

Rojat kufitare në Poloni kanë bërë të ditur se 160 mijë ukrainas kanë hyrë qëkur filloi pushtimi rus. /koha

Exit mobile version