Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka akuzuar Iranin për kryerjen e një “akti terrorist” pas një sulmi me dron në eksklavën autonome të vendit Nakhchivan, ku u plagosën katër persona, transmeton Anadolu.
“Shteti i Azerbajxhanit e dënon fuqishëm këtë akt të shëmtuar terrorist dhe ata që e kanë kryer duhet të mbahen menjëherë përgjegjës”, citohet Aliyev në një deklaratë të presidencës së vendit pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë.
Aliyev theksoi se Baku duhet të marrë shpjegim nga zyrtarët iranianë lidhur me incidentin ndërsa duhet të bëhet edhe kërkim falje dhe autorët e këtij akti duhet të mbahen penalisht përgjegjës.
Ai tha se forcave të armatosura të vendit u është dhënë urdhër të “përgatisin dhe zbatojnë masa hakmarrëse”, duke shtuar se Azerbajxhani nuk ka marrë dhe nuk do të marrë pjesë në operacione kundër Iranit, duke iu referuar ofensivës së vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit tha se eksklava Nakhchivan u godit nga dronë të lëshuar nga Irani, ku një dron goditi ndërtesën e terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Nakhchivanit ndërsa një tjetër ra pranë një shkolle në fshatin Shakarabad.
“Ne i dënojmë fuqishëm këto sulme me dron të nisura nga territori i Republikës Islamike të Iranit, të cilat shkaktuan dëme në ndërtesën e aeroportit dhe plagosën dy civilë”, tha ministria.
Ministria e Shëndetësisë e vendit më vonë njoftoi se katër persona janë plagosur dhe se gjendja e tyre është stabile. Autoritetet iraniane ende nuk kanë komentuar mbi incidentin.
