Presidenti i Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, ka deklaruar se rajoni separatist i Somalilandit ka rënë dakord të zhvendosë palestinezë dhe të strehojë një bazë ushtarake izraelite në këmbim të njohjes nga Izraeli, transmeton Anadolu.
Në një intervistë ekskluzive për rrjetin “Al Jazeera”, Mohamud tha se njohja e Somalilandit nga Tel Avivi ishte “shumë e papritur dhe e çuditshme”, duke shtuar se “ajo erdhi nga askund”, pasi Izraeli u bë vendi i parë që nga viti 1991 që e njeh rajonin si shtet të pavarur.
Somalilandi, i cili shpalli pavarësinë nga Somalia në vitin 1991, ka funksionuar si një rajon “de fakto” vetëqeverisës pa njohje ndërkombëtare, pasi qeveria qendrore në Mogadishu ka dështuar të rivendosë kontrollin.
Mogadishu e refuzon pretendimin e Somalilandit për pavarësi, e konsideron rajonin pjesë të Somalisë dhe e sheh çdo angazhim të drejtpërdrejtë me të si shkelje të sovranitetit të vendit.
“Ne jemi përpjekur ta ribashkojmë vendin në mënyrë paqësore”, tha Mohamud.
Ai tha se Somalilandi ka pranuar gjithashtu t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, të nënshkruara në vitin 2020 midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Sudanit dhe Marokut për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke cituar raporte të inteligjencës, presidenti somalez tha se Izraeli po kërkon të kontrollojë rrugë ujore me rëndësi strategjike si Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe se njohja e Somalilandit thjesht normalizon një prani të fshehtë ekzistuese atje.
Ai tha se Izraeli nuk ndodhet në rajon për paqe dhe synon të zhvendosë me forcë palestinezët drejt Somalisë.
Reagimet negative globale po shtohen lidhur me njohjen e Somalilandit nga Tel Avivi, me shumë vende që e dënojnë këtë veprim si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënim për stabilitetin rajonal.
Të hënën, vendet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ngritën shqetësime në një mbledhje emergjente se ky veprim me gjasë synon zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.
Pothuajse të gjithë anëtarët e këshillit e dënuan njohjen nga Izraeli, ndërsa SHBA-ja u përmbajt nga dënimi, megjithatë tha se qëndrimi i saj ndaj rajonit separatist nuk ka ndryshuar.
