Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidentja e Maqedonisë së Veriut beson se do të vazhdojnë t’i thellojnë...

Presidentja e Maqedonisë së Veriut beson se do të vazhdojnë t’i thellojnë marrëdhëniet me Turqinë

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, shprehu besimin që në periudhën e ardhshme, së bashku me homologun e saj turk, Recep Tayyip Erdoğan, do të vazhdojnë t’i thellojnë marrëdhëniet midis dy vendeve “në frymën e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë”, raporton Anadolu.

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u organizua pritje solemne me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në vend, si dhe 20-vjetorit të zyrës në Shkup të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Në programin e organizuar nga TIKA dhe Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATUSITEB), morën pjesë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ish-kryetari i parlamentit të Turqisë, Mustafa Sentop, Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, si dhe ministra, deputetë, politikanë, përfaqësues të institucioneve turke dhe vendore, dhe shumë të ftuar të tjerë.

– “Dita e Arsimit në Gjuhën Turke ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë vendin dhe shoqëritë”

Duke folur në këtë ngjarje, Siljanovska-Davkova uroi të gjithë për Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, duke theksuar se “21 Dhjetori – Dita e Arsimit në Gjuhën Turke ka rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ju, turqit, por edhe për gjithë shtetin dhe gjithë shoqërinë”.

Ajo theksoi se komuniteti turk në vend është hallka më e fortë e marrëdhënieve Turqi-Maqedoni e Veriut, duke shtuar: “Besoj se në periudhën e ardhshme, së bashku me Presidentin e Republikës së Turqisë Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, do të vazhdojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie në frymën e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë”.

– “Maqedonia e Veriut është vend ku shumë komunitete jetojnë në paqe”

Ish-kryetari i parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, theksoi se Dita e Arsimit në Gjuhën Turke nuk duhet parë vetëm si një ditë përkujtimi, por si ditë falënderimi, besnikërie dhe orientimi, duke shtuar: “Sepse gjuha nuk përbëhet vetëm nga fjalët. Gjuha është një mundësi e madhe përmes së cilës njeriu ndërton veten, komuniteti ruan kujtesën dhe brenda saj flet qytetërimi”.

Ambasadori Fatih Ulusoy tha se po shënohet 20-vjetori i pranisë së TIKA-s në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar: “Maqedonia e Veriut është një vend ku shumë komunitete etnike, fetare dhe kulturore jetojnë së bashku në paqe. Në këtë tablo të bukur, komuniteti turk, si një nga popujt e lashtë dhe themelues të vendit dhe si qytetarë besnikë, ka një pozitë dhe kontribut të veçantë”.

– “Komuniteti turk është pjesë e pandashme e këtij vendi”

Kryetari i TIKA-s, Abdullah Eren, theksoi se “data 21 dhjetor 1944 konsiderohet si festë kombëtare për turqit e Maqedonisë së Veriut, dita kur u fitua e drejta për arsim në gjuhën turke”.

Ai shtoi se kjo ditë nuk është vetëm një datë, por edhe simboli më i madh i gjuhës, identitetit dhe ekzistencës kulturore, duke theksuar se “komuniteti turk, me gjurmët e thella që ka lënë për shekuj me radhë në këto troje, është pjesë e pandashme e këtij vendi”.

Nga ana e tij, kryetari i MATUSITEB-it, Tahsin Ibrahim, theksoi se gjuha turke, me trashëgiminë e saj mijëravjeçare, nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe një gjuhë botërore dhe një pemë qytetërimi me rrënjë të thella, duke shtuar: “Të mbrosh gjuhën turke në zemër të Ballkanit nuk do të thotë vetëm të ruash një gjuhë, por edhe të kontribuosh në paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë shumëkulturore”.

Në kuadër të programit, nxënësve fitues në konkurse të mëparshme të vizatimit, poezisë dhe eseve u ndanë çmime nga anëtarët e protokollit.

Exit mobile version