Ballina Lajmet Kosovë Ceremoni përkujtimore me rastin e 1-vjetorit të tentativës për grusht shteti në...

Ceremoni përkujtimore me rastin e 1-vjetorit të tentativës për grusht shteti në Turqi

Ambasada e Republikës së Turqisë në Prishtinë me rastin e përvjetorit të parë të tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik, organizoi një ceremoni të pritjes për t’i përkujtuar dëshmorët që humbën jetën gjatë kësaj tentative, si dhe për të festuar fitoren e demokracisë dhe të unitetit kombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ceremoni ku nikoqire ishte ambasadorja turke në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, morën pjesë ministri në largim i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ai i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ai i komunës së Mamushës, Arif Bütüç, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, konsullja e Përgjithshme e Turqisë në Prizren, Selen Evcit, shefi i KFOR-it Turk në Kosovë, İhsan Tavazar, deputetët e parlamentit të Kosovës si dhe përfaqësues të institucioneve dhe të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.

Pas qëndrimit në 1 minutë heshtje dhe intonimit të himneve të Turqisë dhe të Kosovës, ambasadorja Kılıç mbajti një fjalë rasti. Duke vënë në dukje se 15 Korriku nuk është një lloj i zakonshëm i kryengritjes ushtarake tha se ky është akti terrorist dhe sulmi më i pabesë në historinë e Turqisë.

Duke folur për ato që kanë ndodhur gjatë natës së 15 korrikut dhe për masat e marra gjatë këtij një viti kundër organizatorit, organizatës terroriste FETO, e cila ndodhet prapa këtij puçi, Kılıç tha se “Në këtë proces, pritjet tona nga vendet mike dhe vëllazërore janë që të solidarizohen me vendin tonë dhe të hedhin hapa konkret në këtë drejtim. Mbështetja më e dobishme dhe e sinqertë ndaj vendit tonë, do të ishte luftimi i organizatave që veprojnë thuajse si përfaqësi të organizatës FETO, në krye me të ashtuquajturat institucionet arsimore, dhe parandalimi i iniciativave keqdashëse ndaj vendit tonë.”

Në ceremoninë përkujtimore i pranishëm ishte edhe Fadil Pushkolli, veteran i luftës së UÇK-së, i cili kishte përjetuar natën e tentativës për puç në Turqi. Duke u shprehur se është mjaft i vështirë përshkrimi i atyre që u përjetuan gjatë asaj nate, Pushkolli tha se në atë natë e kishte kujtuar menjëherë luftën e Çanakkalasë dhe se ka dalur nëpër rrugë, ku kishte parë një numër të madh të plagosurve dhe të vrarëve.

Duke vënë në dukje se Turqia dhe Kosova, si dhe populli turk dhe ai shqiptar janë si mishi e thonjtë, Pushkolli theksoi fuqinë e popullit turk ku tha se “Ata nuk kanë mundur ta kuptojnë se në Turqi qytetarët mund të mblidhen për një minutë, atë që nuk mund ta bëjë ushtria më e madhe në botë.”

Në këtë aktivitet po ashtu u shikua një video ku tregohej se çfarë ka ndodhur në atë natë kur ka ndodhur tentimi për puç, si dhe u ekspozuan fotografitë e Anadolu Agency, të realizuara gjatë tentativës për grusht shteti.

Exit mobile version