Ballina Arritje Profesori i Biologjisë prezanton llojin e ri të insektit nga Bjeshkët e...

Profesori i Biologjisë prezanton llojin e ri të insektit nga Bjeshkët e Sharrit

Profesori i Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore, Departamenti i Biologjisë, Halil Ibrahimi, ka prezantuar të mërkurën llojin e ri të insektit të zbuluar në Bjeshkët e Sharrit, të quajtur “Potamophylax humoinsapiens”.

Ibrahimi tha se për të zbuluar këtë insekt, ka punuar që nga viti 2010, ndërsa tha se insekti ndihmon në funksionimin e lumenjve dhe pastrimin e lumenjve.

Ai me këtë rast, e konsideron Kosovën si vatër të biodiversitetit në Evropë.

Profesor Ibrahimi tha se insektet kanë një rol shumë të rëndësishëm në botë, pa ekzistimin e tyre, sipas tij nuk ka zhvillim të botës.

Ai tha se jeta e të gjitha gjallesave në botë varen nga insektet.

“Nëse insektet do të zhdukeshin, edhe bota për disa kohe nuk do të ekzistonte. Nga insektet varet jeta e të gjitha gjallesave. Janë 1 milion lloje të njohura të insekteve. Në Kosovë ka pasur të dhënë të pakta për insekte. 19 lloje te reja të insekteve janë zbuluar në dekadën e fundit nga departamenti i biologjisë në UP”, tha ai.

Sa i përket zbulimit të fundit të insektit “Potamophylax humoinsapiens”, profesori tha se ky insekt është lloj unik që jeton vetëm në Kosovë.

Ai tha se ky insekt ka një rol shumë të rëndësishëm për funksionimin e lumenjve dhe pyjeve.

Ai tha se me këto zbulime Kosova po e vërteton që është vatër e biodiversitetit në Evropë.

“Ky është lloji i fundit që hulumtimit ka filluar që në vitin 2010, ka vazhduar me vite të tëra ky hulumtim, në teren, e laboratorë. Hulumtimi është finalizuar këtë vit. Janë lloje kyçe për funksionimin e lumenjve, pastrimin e lumenjve, me pas ujin e pastër prej burimeve. Ky insekt edhe të tjerat të ngjashme janë ajo barriera e parë që pëson nga ndotja e mjedisit, tregojnë se nuk është duke shkuar mirë me mjedisin. Rëndësia është që i identifikon dhe i përshkruan ato zona që janë anashkaluar dhe ndoten në mënyrë masive e te cilat janë të rëndësishme. Nëpërmjet këtij hulumtimi jemi duke vërtetuar atë thënjë që Kosova është vatër e biodiversitetit në Evropë, që tashmë është edhe me fakte. Përmendja e këtyre hulumtimeve në botë na bënë të ndihem mirë, prej krejt këtyre hulumtimeve janë 60 punime të publikuara në revistat më prestigjioze në botë”, tha ai.

Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, më këtë rast i dhuroi mirënjohje profesorit Halil Ibrahimi, për punë dhe kontributin e tij.

Ai tha se kjo është më e pakta që mund të bëjnë për punën e tij.

“Nuk është që shpesh kemi zbulime, megjithatë stafi ynë bënë punë të mira. Lajmet me këto janë të pakta dhe nuk transmetohen sa duhet, prandaj këtë linje ne kemi marr vendim që të prezantojmë punën që ka zbuluar disa lloje të insekteve në Kosovë. Ju që jeni student duhet të jeni krenar me punën e profesorit tuaj. Kjo fushë e studimit ka një rol të veçantë. Ky është një gjest më tepër simbolik, nuk është që unë kam mundësi që t’i ofroj sot diçka por vetëm një mirënjohje të ja ndajë. Është një mirënjohje më e pakta që mund të bëjmë ne”, tha ai.

Exit mobile version