Përpjekjet e sotme për konvertimin fetar të shqiptarëve muslimanë në Kosovë nuk janë të izoluara, por vazhdimësi e projekteve historike antiislame në Europë dhe Ballkan. Këto nisma jnë forma të reja presioni propagandistik dhe psikologjik, të toleruara nga heshtja institucionale vendore dhe ndërkombëtare. Identiteti kombëtar shqiptar është ndërtuar me kontribut vendimtar të muslimanëve dhe se çdo përpjekje për ta cenuar atë përbën rrezik për kohezionin shoqëror dhe stabilitetin e Kosovës.
Rrënjët fetare dhe burimet ideologjike e gjeopolitike të ideve dhe projekteve për çrrënjosjen e Islamit nga trojet shqiptare, e posaçërisht nga Kosova, janë të vjetra. Vetë Europa ka qenë trualli i projekteve të tilla që nga koha e Rilindjes Karolinge, kryqëzatave, periudha e Rekonkuistës dhe Inkuizicionit, e deri te Rendi i Ri Botëror i fundshekullit XX, përkatësisht Islamofobia e shekullit XXI. Strategjia e të ashtuquajturës paqja kryqtare, në fillimet e saj, kishte si objektiv kryesor që konfliktet dhe luftërat t’i nxirrte jashtë krishterimit dhe jashtë Europës, me cak kryesor luftën kundër Islamit. Në këtë strategji u mishërua përpjekja disashekullore për çrrënjosjen e plotë të Islamit nga vetë trualli europian: fillimisht nga Gadishulli Apenin në shekullin XI, mandej nga Gadishulli Iberik në shekullin XV, për të ardhur në radhë Gadishulli Ballkanik në shekujt XIX dhe XX.
E vërteta është se, pavarësisht strategjisë dominuese të paqes kryqtare, konfliktet dhe luftërat fetare në truallin europian kanë shpërthyer edhe brenda vetë krishterimit. Po të lihen mënjanë përndjekjet disashekullore kundër të krishterëve në Romën pagane, konfliktet brendakrishtere, me ndarjen e Perandorisë në dy pjesë në shekullin IV, e sidomos me ndarjen e kishave në vitin 1054, kanë prodhuar dhunë dhe fatkeqësi të mëdha. Edhe rebelimi protestant, si dhe Revolucioni Francez, i cili ishte edhe antiklerikal, e deri te marksizmi ateist, kanë shkaktuar tronditje të rënda dhe dhunë. Pra, mund të thuhet se trualli europian ka qenë një lloj zone sizmike hiperaktive e tronditjeve të vazhdueshme antifetare. Gjithsesi, tronditjet më të mëdha kanë qenë të drejtuara kundër botës muslimane, si brenda Europës, ashtu edhe jashtë saj. Ballkani ka mbetur synim i vazhdueshëm i kësaj strategjie. Meqë ka mbetur pjesa e vetme e truallit europian ku Islami nuk u çrrënjos plotësisht, Ballkani vazhdon të jetë në fokus të projekteve të tilla, gjë që u dëshmua me gjenocidin në Bosnje në vitet 1991–1995 dhe në Kosovë në vitet 1998–1999. Aty ku nuk ka kryer punë gjenocidi, ka vazhduar propaganda antiislame, duke pritur ndonjë mundësi tjetër në të ardhmen.
Për këtë prirje obsesive antiislame, në Perëndim është përpunuar edhe një literaturë voluminoze teorike dhe artistike, e cila e përshkruan, e vlerëson dhe e motivon këtë obsesion. Orientalizmi, si tërësi disiplinash që e portretizojnë, e deformojnë dhe e përgatisin për nënshtrim Lindjen, përkatësisht Islamin, është sintezë e kësaj ndërmarrjeje disashekullore. Edhe pse është denoncuar si dije dhe ideologji johumane dhe në shërbim të krimit, sidomos në studimin monumental të Edward Saidit, orientalizmi ka mbetur një ndërmarrje virulente deri në ditët tona, natyrisht i modifikuar sipas realiteteve të reja fetare, ideologjike dhe gjeopolitike.
Me këtë rast po sjell në vëmendje, vetëm për ilustrim, poemën “Kënga e Rolandit”, e cila, si jehonë e Kryqëzatës së Parë, glorifikon luftën e të krishterëve kundër muslimanëve (saraçenëve). Në të, muslimanët paraqiten si paganë, si njerëz që të vetmen gjë të bardhë në trup i kanë dhëmbët (një paraqitje tipike raciste), ndërsa Muhamedi (a.s.) përshkruhet po ashtu me fjalë të rënda, si burim i së keqes, ashtu siç ishte portretizuar edhe në fjalimin e Papës Urban në Horms, me rastin e shpalljes së kryqëzatës. Vrasjen e muslimanëve autori e paraqet edhe në vargje aq eksplicite, sa që në terminologjinë e sotme do të mund të cilësoheshin gjenocidale:
Nëpër qytet asnjë pagan s’ka mbetur:
Të gjithë u vranë ose u bënë kristianë.
(Kënga e Rolandit, 26)
Në fakt, zbatimi konkret i kësaj ideje — vrasja e të gjithë muslimanëve ose rikristianizimi i tyre — u bë në Spanjë dhe Portugali në shekullin XV, ku muslimanët, bashkë me hebrenjtë, praktikisht u çrrënjosën nga Gadishulli Iberik me metoda që Simon Wiesenthal, në librin e tij “Veli i shpresës”, i krahason me metodat gjenocidale të nacionalsocializmit hitlerian pesë shekuj më vonë. Ajo që thotë Wiesenthali për antisemitizmin, se “për ta eliminuar antisemitizmin duhet të zbulohen rrënjët e tij”, vlen po aq edhe për Islamofobinë. Pra, për ta eliminuar Islamofobinë e sotme, duhet të zbulohen dhe të denoncohen si gjenocidale rrënjët e saj. Kjo është veçanërisht aktuale në rastin shqiptar, e sidomos kohët e fundit në Kosovë. Kosova ka qenë dhe ka mbetur halë në sy të atyre që duan ta çrrënjosin Islamin nga trualli europian.
Në fakt, edhe Lufta e Parë Ballkanike e katër shteteve (Mali i Zi, Serbia, Greqia dhe Bullgaria) kundër Shtetit Osman në vitet 1912–1913, si qëllim kryesor kishte që, nën pretekstin e dëbimit të osmanëve nga trualli europian, të çrrënjoste të gjithë muslimanët, në radhë të parë shqiptarët, turqit dhe boshnjakët. Siç konstaton historiani amerikan Justin McCarthy në librin “Vdekje dhe Dëbim – Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821–1922”, “në Luftërat Ballkanike, secili nga fitimtarët dëshironte të shihte një fund të pranisë muslimane në tokat që kishte pushtuar” (f. 171). Pra, rrënjët e iniciativave të sotme për çrrënjosjen e fesë islame nga Kosova janë pikërisht aty, te Luftërat Ballkanike, ku objektiv ishte eliminimi i pranisë muslimane në shtetet ballkanike. Projekti u realizua pjesërisht, por jo plotësisht.
Faktet e publikuara në dekadat e fundit mbi krimet ndaj muslimanëve janë tronditëse, sepse zbulojnë se brenda kufijve të Shtetit Osman, për një shekull (1821–1922), janë vrarë pesë milionë e gjysmë muslimanë dhe pesë milionë të tjerë janë dëbuar nga vatrat e tyre. Në rastin shqiptar, të dhënat demografike të publikuara po nga demografi amerikan Justin McCarthy tregojnë se në Luftërat Ballkanike janë vrarë 27% e shqiptarëve dhe 35% të tjerë janë dëbuar nga vatrat e veta. Pra, rreth 60% e shqiptarëve ose janë vrarë, ose janë dëbuar nga trojet e tyre në vitet 1912–1913. Ata që mbetën u ekspozuan ndaj përpjekjeve për t’u kthyer me dhunë në krishterim, siç ishte projekti i Malit të Zi gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërkohë, ndërmjet dy luftërave botërore, në Serbi u hartuan elaborate dhe u bënë marrëveshje për dëbimin e plotë të shqiptarëve. Absurditet më vete përbën fakti se edhe në Jugosllavinë e Titos, në vitin 1953, u aktivizua marrëveshja për shpërnguljen e shqiptarëve.
Me pak fjalë, ky është sfondi fetar, ideologjik dhe historik në të cilin sot janë rikthyer idetë dhe projektet për ndëshkimin e shqiptarëve muslimanë të Kosovës përmes ndërrimit të fesë, tash për tash me dhunë propagandistike dhe psikologjike. Pra, e parë në këtë kontekst të gjerë kohor, “Lëvizja e Deçanit”, përkatësisht “Lëvizja për Rikthim”, është vazhdimësi e projekteve të vjetra dhe të reja për çrrënjosjen e muslimanëve nga Ballkani dhe Europa. Pra, ajo përfaqëson vazhdimësinë e projekteve të vjetra, por kësaj here me autorësi formale shqiptare dhe gjoja në emër të forcimit të shqiptarizmit, çka përbën paradoks më vete. Si mund të forcohet një komb duke u prishur? Këtë nuk arrin ta kuptojë asnjë mendje normale.
Mbase këtu është rasti të thuhet se kombi shqiptar ka qenë një ndërmarrje e përbashkët e të gjitha komuniteteve fetare, e të gjitha rajoneve dhe shtresave shoqërore, por e sigurt është se pa pjesëmarrjen vendimtare të shqiptarëve muslimanë, si shumica absolute e etnisë shqiptare, kurrë nuk do të mund të formohej kombi shqiptar. Shqiptarët ortodoksë u inkuadruan në lëvizjen kombëtare për t’i shpëtuar asimilimit grek, të sponsorizuar nga shteti grek dhe Kisha Greke. Edhe shqiptarët katolikë, ndonëse në numër më të vogël, iu bashkuan lëvizjes kombëtare, të bindur se jashtë saj do të gllabëroheshin nga sllavët, siç e thotë qartë edhe Mati Logoreci: “Ne katolikët shqiptarë ekzistojmë falë myslimanëve. Po të mos ishin myslimanët, sllavët prej kohësh do të na kishin asimiluar ose përzënë prej këndej.” Nuk mund të thuhet më qartë. Madje, përkundër mbrojtjes që patën nga shqiptarët muslimanë, disa fise katolike u asimiluan në serbë, ndërsa disa të tjera lidhën aleanca me Malin e Zi e më pas me Serbinë, siç bëri Gjon Marka Gjoni me formimin e “Republikës së Mirditës”, si projekt për shkatërrimin e shtetit shqiptar.
Ngado që të shihet, kombi shqiptar është një ndërmarrje e përbashkët, me kontribut vendimtar të shqiptarëve muslimanë. Prandaj, ata që tentojnë t’i paraqesin katolikët si vulëmbajtës të shqiptarizmit janë thjesht gënjeshtarë. Pikërisht mbi këtë gënjeshtër po tentohet të mbështetet edhe projekti i ri për nxitjen e largimit nga feja islame, si gjoja kthim në shqiptarizëm. Në një rast tjetër kam trajtuar raportin e katolicizmit me shqiptarizmin dhe kam argumentuar se nuk ekziston asnjë lidhje organike ndërmjet tyre.
Tash shtrohet pyetja: pse projekti i ri kundër fesë islame ka rifilluar në Kosovë, e jo, fjala vjen, në Shqipëri, ku ekziston një komunitet më i madh katolikësh dhe ku, në fakt, para vitit 1912 kishte ekzistuar një projekt austriak për formimin e një shteti katolik shqiptar? Madje, më herët kishte ekzistuar edhe projekti i priftit Preng Doçi për formimin e një principate katolike që do të bashkonte të gjitha fiset dhe viset katolike të veriut. Pra, pse nuk iu rikthyen asaj përpjekjeje, por po tentojnë në Kosovë, ku i vetmi kontest fetar është me ortodoksinë serbe? Përgjigjja është e thjeshtë: po eksperimentohet në Kosovë për shkak se Kosova ka status krize ndërkombëtare, ku prania civile dhe sidomos ajo ushtarake e huaj krijon ambient të përshtatshëm për misionin e tyre antiislam. Madje, nga sa është parë deri më tani, këto organizata hibride antiislame janë të patrazuara si nga prania civile dhe ushtarake ndërkombëtare, ashtu edhe nga organet tona të drejtësisë, të cilat, në instancë të fundit, duket se janë të ndikuara nga faktorë ndërkombëtarë. Prandaj, nuk mund të përjashtohet hipoteza se “Lëvizja e Deçanit”, përkatësisht “Lëvizja për Rikthim”, gëzon përkrahje të maskuar nga disa faktorë ndërkombëtarë, veçanërisht qarqe ekstreme klerofashiste. Me gjasë edhe nga Vatikani, pasi ceremonitë e konvertimit të personave që rekrutohen zhvillohen në kisha nën administrimin e Selisë së Shenjtë. Hierarkia absolute e Kishës Katolike nuk lejon aktivitete të kësaj natyre pa dijeninë ose lejen e saj, aq më tepër në një vend si Kosova, e cila ndodhet nën Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me prani ushtarake të NATO-s, ku rreziku i destabilizimit nga provokime të tilla fetare mund të ketë pasoja ndërkombëtare.
Në këtë sfond, krijohet përshtypja se edhe mosnjohja e shtetit të Kosovës nga Vatikani mund të jetë e kalkuluar në funksion të këtyre tentativave prozelitiste.
Edhe heshtja e Bashkimit Europian dhe e shteteve të veçanta europiane ndaj provokimeve që bëhen përmes projektit të konvertimit me dhunë propagandistike dhe psikologjike të shqiptarëve muslimanë në Kosovë është domethënëse. Në parim, për Europën e sotme thirrjet dhe projektet për konvertim fetar janë jashtë standardeve të saj. Prandaj, heshtja e gjatë e institucioneve dhe shteteve europiane mund të kuptohet si një miratim i heshtur. Ato reagojnë ashpër dhe zëshëm ndaj propozimeve që, fjala vjen, Lista Serbe të mos marrë pjesë në zgjedhje, por nuk reagojnë kur rreth një milion e gjysmë shqiptarëve muslimanë u thuhet se duhet ta braktisin fenë e tyre dhe të kalojnë në krishterim, ndonëse shqiptarët muslimanë të Kosovës nuk kanë dhënë asnjë shenjë lëkundjeje në bindjet e tyre fetare islame. Pse, pra, heshtin shtetet europiane dhe Bashkimi Europian?
Po heshtja e institucioneve shtetërore — policisë, prokurorisë, qeverisë dhe partive politike — si duhet të kuptohet? Mua më duket si një heshtje e diktuar nga pozita neokoloniale që i është imponuar Kosovës. Si është e mundur që “Lëvizja për Rikthim” është regjistruar në administratën e shtetit tonë? Si është e mundur që i lejohet të përhapë urrejtje kundër fesë islame, gjë që sipas Kushtetutës së vendit tonë është e dënueshme?
Meqë klima politike dhe e sigurisë është e tillë që e ka nxitur dhe e stimulon këtë projekt kundër fesë islame, mund të pritet që presionet të bëhen edhe më të orkestruara. Shkalla e tyre do të varet jo vetëm nga synimet e tyre — të cilat tashmë po shfaqen si të shfrenuara — por edhe nga aftësia jonë për ta refuzuar këtë presion dhe për t’u mbrojtur prej tij. Organizimi sa më i mirë i komunitetit tonë islam është përgjigjja e duhur ndaj këtyre pretendimeve. Ky organizim nënkupton fuqizimin e institucioneve fetare, adresimin ligjor të rasteve që vlerësohen si dhunë ndaj ndjenjave fetare, aftësimin për të paraqitur në publik vlerat tona si besimtarë, dhënien e mesazheve për bashkëjetesë paqësore me të gjitha komunitetet fetare dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe fetar.
Heshtja përballë këtij provokimi të ndyrë nuk është zgjidhja e duhur. Frika përballë këtyre shantazhuesve të pështirë duhet të përjashtohet si mundësi. Dialogu me njerëzit vullnetmirë duhet të mbetet synimi ynë strategjik, sepse si komunitet fetar shumicë absolute, përgjegjësia jonë është më e madhe se e të gjithë të tjerëve.
Nëse arrijmë një organizim të duhur, ashtu siç Zoti ua ka kërkuar besimtarëve, jo vetëm që do t’i frenojmë aktivitetet antiislame të vagabondëve (ashtu quheshin nismëtarët e ndërrimit të fesë me dhunë në Spanjën mesjetare), por do të mund t’ua ndryshojmë perceptimet dhe sjelljet ndaj nesh edhe faktorëve të tjerë. Po ashtu, do të mund ta ndalim këtë veprim të rrezikshëm, i cili, ndër pasojat eventuale, mund të rihapë edhe temën e mbyllur prej kohësh: mënyrën e formimit të kombit shqiptar dhe kontributet e secilit komunitet fetar në historinë e tij. Prandaj, këto përpjekje duhet të ndalen; të mos provokojnë, të mos bëjnë presion dhe dhunë propagandistike e psikologjike, sepse ne nuk kemi ndërmend të lëvizim asnjë milimetër nga besimi ynë islam, nga identiteti ynë shqiptar dhe nga përkatësia jonë europiane. Ne jemi këtu për të vazhduar kështu.
Kur nuk na kanë larguar nga Islami, nga shqiptaria dhe nga Kosova jonë aleancat ushtarake të shteteve ballkanike, sponsorizimet e disa fuqive europiane dhe gjenocidet e përsëritura, nuk ka asnjë shans që të na largojnë nga ky identitet i rrënjosur dhe i vulosur ata që Simon Wiesenthal i identifikon si vagabondë në fillimet e Rekonkuistës dhe Inkuizicionit. Vagabondë janë edhe këta sot. Por, ndryshe nga Spanja mesjetare, në rastin tonë shteti është i yni dhe nuk mund të jetë kurrë në duart e vagabondëve që tentojnë ta deformojnë historinë dhe të ardhmen tonë.
Prof. Milazim Krasniqi
Profesor i asocuar i gazetarisë dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi udhëheq Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, aty ku në vitin 2004 ka fituar titullin e doktorit të shkencave filologjike. Themelues i Institutit të Medies, redaktori i parë i zhurnalit “Media”, Krasniqi ka shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit Publik të Kosovës (2001-2009) dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2008-2010.)
