Kriza globale energjitike vetëm sa ka filluar dhe ajo do pasohet nga trazirat politike…
Financial Times
Donald Trump pretendon se është mjeshtër i “artit të marrëveshjes”, por negociatat e durueshme nuk janë stili i tij. Pas dështimit të bisedimeve të paqes në Islamabad, SHBA-ja ka zgjedhur përshkallëzimin duke shpallur një bllokadë detare.
Kjo taktikë ka gjasa të dështojë, pasi mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani i ka rritur tashmë çmimet e energjisë, ndërsa bllokada amerikane po i shtyn ato drejt niveleve alarmante. Irani beson se koha punon për të dhe ka të drejtë.
Sa më gjatë të zgjasë mbyllja e ngushticës, aq më i madh do të jetë presioni mbi SHBA-në dhe aleatët. Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, e ka quajtur humbjen e njëzet për qind të furnizimit botëror si “kërcënimin më të madh të sigurisë energjitike në histori”, që mund të lërë në hije edhe krizën e rëndë të viteve 1970.
Në fillim, efektet u zbutën sepse sasi të mëdha nafte ishin tashmë në det kur nisi sulmi më 28 shkurt. Por tani, pasojat po ndihen vërtet. Rritja e çmimit të benzinës është vetëm fillimi. Mungesa e karburantit për avionë do të dëmtojë rëndë turizmin veror në Evropë.
Mungesa e heliumit nga Katari, mund të bllokojë prodhimin e gjysmëpërçuesve, ndërsa mungesa e plehrave kimikë do të rrisë çmimet e ushqimeve. Banka Aziatike për Zhvillim parashikon një rënie të rritjes ekonomike prej 1 për qind në vendet aziatike në zhvillim.
Trump shpreson se bllokada do ta detyrojë Teheranin të tërhiqet, por regjimi iranian është i vendosur dhe po lufton për mbijetesë. Ai ka rezerva financiare nga shitjet e fundit me çmime të larta dhe mund të eksportojë gaz përmes tubacioneve.
Nëse bllokada dështon, Trump do të përballet me zgjedhje të vështira. Megjithëse ai sugjeron se një operacion ushtarak do të ishte i lehtë, e vërteta është se po të ishte i tillë, do të ishte provuar tashmë.
Edhe nëse kalojnë anijet luftarake, siguria e anijeve tregtare nuk mund të garantohet. Mjaftojnë pak sulme me dronë ose skafe që sigurimi i çisternave të bëhet i pamundur.
Nëse SHBA godet centralet elektrike dhe impiantet e shkripëzimit iranian, Teherani do të kundërpërgjigjet ndaj objekteve të ngjashme në Gjirin Persik, duke e bërë pothuajse të pamundur jetën në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara.
Për më tepër, efektet shtrihen përtej Lindjes së Mesme. Protestat në Irlandë javën e kaluar, e detyruan qeverinë të thërriste ushtrinë dhe të jepte 505 milionë euro subvencione. Franca e zhytur në borxhe, po përgatitet për protesta dhe trazira sociale përpara zgjedhjeve presidenciale.
Përpara bllokadës, industria e naftës dukej e gatshme të paguante një taksë prej 1 dollar për çdo fuçi ndaj Iranit për kalimin e lirë të Ngushticës. Administrata Trump e refuzon këtë, duke argumentuar se kjo do t’i jepte Iranit një kontroll fitimprurës mbi energjinë botërore, duke e kthyer në një version më ekstrem të OPEC-ut.
Megjithatë, fundi i kësaj lufte kërkon vizion strategjik dhe aftësi për të ndërtuar aleanca, cilësi që Trumpit i mungojnë. Situata është një rrëmujë e vërtetë. /tesheshi
