Në pamje të parë, agjërimi duket adhurim pasiv – ndalim nga ushqimi, pija dhe dëshirat. Por në thelb, Ramazani nuk është muaj pasiviteti; ai është muaji i gjallërisë shpirtërore që kulmon duke e kthyer besimin në përgjegjësi shoqërore.
Madhështinë e agjërimit e kuptojmë në hadithin kudsij: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit; ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të” (Buhariu dhe Muslimi). Kjo lidhje e veçantë me Zotin e shndërron agjërimin në një gjendje aktive të shpirtit, e cila nuk mbetet vetëm ndërmjet njeriut dhe Zotit, por detyrimisht gjen shprehje edhe në marrëdhëniet me njerëzit.
Kjo gjallëri shpirtërore fillon me teravitë, thellohet me namazin e natës dhe arrin kulmin e saj individual në dhjetë ditët e fundit, kur Profeti a.s. “shtrëngonte rripin, i jepte jetë natës dhe zgjonte familjen” (Buhariu dhe Muslimi). Por pikërisht këtu, në majën e përkushtimit individual, lind pyetja: çfarë ndodh me gjithë këtë fuqi shpirtërore?
Përgjigjen e jep Sadakatul Fitri.
Transmetohet nga Ibn Abasi r.a. se Muhammedi a.s. e bëri Sadakatul Fitrin obligim për çdo musliman – mashkull apo femër, të vogël apo të rritur – si “pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të ndyra dhe si ushqim për të varfrit” (Ebu Davudi, Ibn Maxhe). Ky hadith zbulon thelbin e dimensionit social të Ramazanit: agjërimi e pastron shpirtin, por Sadakatul Fitri e shndërron këtë pastrim në solidaritet konkret.
Profeti a.s. ka përcaktuar: “Kush e jep para namazit të Bajramit, ajo është Fitër i pranuar; e kush e jep pas namazit, ajo është thjesht një sadaka e rëndomtë” (Ebu Davudi). Duke e lidhur Sadakatul Fitrin me Festën e Bajramit, Islami krijon një urë të pathyeshme midis adhurimit dhe përgjegjësisë shoqërore. Nuk mund të qëndrosh para Zotit në mëngjesin e festës, nëse më parë nuk je siguruar që edhe vëllai yt pranë teje ka me çfarë ta festojë.
Këtu zbulohet urtësia e plotë e Ramazanit. Një muaj tërësi agjërimi nuk ka kuptim nëse nuk prodhon ndjeshmëri ndaj të uriturit. Netët e gjata të namazit nuk kanë vlerë nëse nuk zgjojnë ndërgjegjen për kujdesin ndaj të varfërve. Përkushtimi individual nuk është i plotë nëse nuk përkthehet në kujdes për të tjerët.
Prandaj Sadakatul Fitri nuk është thjesht një lëmoshë e rastit. Ajo është mekanizmi që e kthen Ramazanin nga një përvojë personale në një transformim shoqëror. Ajo siguron që gëzimi i Bajramit të mos jetë privilegj i të pasurve, por e drejtë e të gjithëve. Ajo e kthen devotshmërinë në drejtësi.
Ramazani na mëson se përmbajtja nuk është qëllim në vetvete – ajo është shkolla që e përgatit shpirtin për aktin më të lartë: dhënien. Sepse në Islam, adhurimi më i bukur është ai që nuk mbetet pezull mes qiellit dhe tokës, por që prek tokën, ecën nëpër të dhe arrin te njeriu tjetër.
Mesazhi i tij është i qartë: adhurimi nuk është vetëm raport me Zotin, por edhe përgjegjësi ndaj njerëzve. Dhe pikërisht në këtë ekuilibër mes devotshmërisë dhe drejtësisë shoqërore qëndron bukuria dhe fuqia e Islamit.
Hoxhë Korab Hajraj
