Ballina Autorë Opinione Reagim ndaj tezave të Ben Blushit mbi Kongresin e Manastirit

Reagim ndaj tezave të Ben Blushit mbi Kongresin e Manastirit

Daim Luçi

Teksti i Ben Blushit mbi Kongresin e Manastirit më shumë shërben si një përplasje ideologjike me Islamin sesa si reflektim i sinqertë historik. Në vend që të nderojë ditën më të madhe të unitetit shqiptar, ai e përdor si trampolinë për të prodhuar ndarje, duke krijuar një narrativë ku muslimanët paraqiten si pengesë e qytetërimit dhe shqiptarisë. Kjo qasje është e padrejtë, e pavërtetë dhe e varfër në argumente.

Së pari, pretendimi i tij se Shqipëria u coptua sepse shqiptarët “u lidhën me Perandorinë Osmane” është një ide naive që nuk qëndron as teorikisht, as historikisht. Po të ishte kështu, atëherë shqiptarët do të ishin sot ndër popujt më të bashkuar në Ballkan, sepse për pesë shekuj ishin ndër shtyllat më të forta të administratës dhe ushtrisë osmane. Nëse Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, Ali Pashë Tepelena dhe qindra vezirë e komandantë shqiptarë nuk u bënë grekë e as turq, nuk ishte falë frymëzimit të Ben Blushit, por falë një identiteti që mbijetoi natyrshëm brenda një Perandorie shumëkombëshe. Shqiptarët u coptuan për arsye krejtësisht të tjera: fqinjët tanë kishin shtete, ushtri, diplomaci dhe mbështetje nga Fuqitë e Mëdha, ndërsa shqiptarët hynë në shekullin XX pa shtet, pa ushtri dhe pa miq ndërkombëtarë. Coptimi ynë u vendos në tavolinën e fuqive, jo në xhamitë shqiptare.

Së dyti, Blushi e portretizon Kongresin e Manastirit si një duel midis “muslimanëve dhe Perëndimit”, sikur patriotët muslimanë qenë një lloj përbindëshi që duhej mposhtur. Kjo është një shtrembërim i errët i së vërtetës. Në Kongres, muslimanët votuan për alfabetin latin jo sepse u bënë papritur kundër Islamit, por sepse ishin shqiptarë dhe e deshën Shqipërinë. Pa votën e tyre, që ishin shumicë numerike, alfabeti latin nuk do të kishte kaluar kurrë. Fakt që Blushi e anashkalon me lehtësinë e dikujt që i druhet realitetit.

Së treti, pretendimi se “po të fitonin islamikët, Shqipëria s’do kishte letërsi, art e kulturë” është një absurditet i pastër. Nëse Islami do e kishte degraduar kulturën dhe gjuhën, atëherë pse nuk jemi bërë grekë, serbë apo turq? Si shpjegohet që pikërisht popullsia muslimane shqiptare, fshatare dhe qytetare, e ruajti gjuhën e vet më mirë se bashkësitë e tjera etnike të Perandorisë? Si ka mundësi që Gjuha Shqipe qëndroi gjallë pesë shekuj dhe nuk u përthith nga asnjë kulturë tjetër dominuese? Kjo ndodhi sepse Islami nuk ishte armik i identitetit shqiptar. Përkundrazi, bashkësia shqiptare dhe hoxhallarët e viseve u bënë një shtresë shoqërore që ruajti traditën, gjuhën dhe vetëdijen etnike. Pa këtë shtresë nuk do kishte as alfabet latin, as Rilindje Kombëtare, as Pavarësi.

Së katërti, teza se shqiptarët u perceptuan si “turq të vegjël” për shkak të fesë është një tjetër manipulim. Shqiptarët u perceptuan si pjesë e Perandorisë për shkak të statusit politik, jo fetar. Edhe bullgarët, rumunët, boshnjakët, sirianët dhe arabët ishin brenda Perandorisë, por askush nuk i trajtoi si “turq të vegjël”. Blushi e përdor fenë si argument politik sepse nuk ka guxim të analizojë realitetin gjeopolitik. Ndërsa është më e lehtë t’i veshësh faj Islamit sesa ta pranojë se fuqitë e mëdha na ndanë për interesa të tyre dhe jo për shkak të fesë që mbanin shqiptarët.

Së pesti, gjuha me të cilën ai përshkruan bashkëkombësit e tij si “islamikë të mjerë” nuk është gjuhë historie, por paragjykim. Është gjuha e një njeriu që lufton një fantazmë personale, jo argumentet. Feja e një populli nuk është mjerim; mjerim është kur e poshtëron popullin tënd për të mbështetur një narrativë boshe.

Fakti kokëfortë është ky: Kongresi i Manastirit ishte fitore e gjithë shqiptarëve: muslimanë, katolikë dhe ortodoksë. Alfabeti latin u bë realitet sepse shumica muslimane e pranoi me pjekuri dhe vizion. Pa këtë konsensus, as Kongresi nuk do kishte kuptim, e as Blushi nuk do kishte sot alfabet për të shkruar kundër Islamit.

Prandaj, para se t’i japim Islamit fajet e historisë, të paktën t’i japim meritat që i takojnë. Islamit që e mbrojti gjuhën në shekuj, që e ruajti identitetin, që kontribuoi në alfabetin latin, dhe që ishte pjesë e palëkundur e Rilindjes dhe Pavarësisë. Nëse Islami do na kishte zhdukur, nuk do të kishte as Shqipëri, as gjuhë, as Kongres të Manastirit dhe as platformë që Blushi të përdorte për të hedhur baltë mbi një pjesë të popullit të vet.

Kjo është e vërteta dhe kjo është më e fortë se çdo paragjykim i tij ideologjik.

Daim Luçi

Exit mobile version