Ballina Artikuj Refuzimi i haditheve të sakta është i ngjashëm me pranimin e haditheve...

Refuzimi i haditheve të sakta është i ngjashëm me pranimin e haditheve të shpikura

Shejh Jusuf Kardavi (r.a)

Nëse pranimi i haditheve false dhe të shpikura duke i konsideruar ato sikur t’i ketë thënë Profeti (a.s) është gabim, absurditet dhe rrezik, po ashtu konsiderohet edhe refuzimi i haditheve autentike e të sakta për shkak të tekave, vetëpëlqimit, shtirjes sikur di për Allahun dhe të Dërguarin e Tij apo duke hedhur dyshime ndaj Umetit, dijetarëve, imamllarëve të brezave më të mirë. Në të kaluarën, masat e gjera të muslimanëve i kanë marrë si të mirëqena hadithet e gënjeshtërta,  kurse sot, njerëzit e thjeshtë i refuzojnë hadithet e sakta pa pasë kurrfarë dije, udhëzim e Libër që t’i ndriçojë. Me masat e gjera të muslimanëve nuk kam për qëllim ata që janë analfabetë e të ngjashëm me ta, sepse ata nuk mund të futen në atë lëmi që nuk e njohin, por kam për qëllim ata që janë mëndjemëdhenj e fodullë, të cilët kanë hyrë nga dritaret dhe jo nga dyert, të cilët nuk e kanë marrë dijen nga burimi, kanë mësuar nga dija vetëm se gjërat sipërfaqësore dhe e kanë marrë atë nga referenca sekondare, orientalistët apo misionarët.

Ajo që është e rëndësishme dhe që duam të përcjellim është fakti se refuzimi i haditheve të sakta është i njëllojtë si pranimi i haditheve të shpikura, të cilat feja i refuzon.

Pranimi i haditheve të rreme nënkupton të bësh pjesë të fesë ato gjëra që nuk janë prej saj, kurse refuzimi i haditheve të sakta nënkupton të heqësh nga feja ato gjëra që janë prej saj. Nuk ka dyshim se të dyja këto raste – pranimi i falsitetit dhe refuzimi i të vërtetës –  janë të prapranueshme dhe të kritikueshme.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

Exit mobile version