Ballina Kuzhinë Rizoto dimri me kërpudha dhe perime

Rizoto dimri me kërpudha dhe perime

Në qoftë se jeni në kërkim të një recete të shpejtë dhe të shijshme, që të mos ju marrë shumë kohë dhe ta hani të gjithë, rizoto me perime është zgjidhja e duhur. Do t’ju duhen vetëm pak minuta për ta përgatitur dhe po aq për ta ngrënë.

PËRBËRËSIT PËR 4 PERSONA: 360 g oriz për rizoto (Carnaroli ose Arborio), 300 g kërpudha, 200 g brokoli, ½ gotë verë e bardhë, 1 qepë e vogël,
2 karota, vaj ulliri, kripë, piper, majdanoz, lëng perimesh i valuar sipas nevojës,  1 lugë gjalpë i ftohtë nga frigoriferi, pak djathë Parmigiano i grirë.

PËRGATITJA: Pasi t’u heqim kërpudhave pjesën e bishtit me dhe, i kruajmë me thikë, i pastrojmë me pecetë të pastër të lagur me ujë dhe i presim në feta të holla. Qepën e qëruar e grijmë imët dhe bashkë me karotat të prera në rrota, i skuqim në një tenxhere me pak vaj ulliri. Kur qepa të jetë bërë transparente shtojmë brokolit të ndarë në degë të vogla, i skuqim për 3-4 minuta dhe më pas shtojmë orizin. Skuqim orizin për 3-4 minuta, e shuajmë me verë dhe kur kjo të avullojë, shtojmë lëngun e valuar me garuzhde. Shtojmë lëng perimesh sipas nevojës derisa orizi të jetë zier plotësisht. Kur ai të jetë zier plotësisht, e përziejmë me gjalpin e prerë në kubikë, djathin Parmigiano të grirë, shtojmë majdanozin dhe e shërbejmë menjëherë.

Nga LINDA FISHTA

Exit mobile version