Ramazani nuk është vetëm muaj adhurimi shpirtëror; ai është një shkollë e strukturuar e vetëkontrollit, disiplinës dhe menaxhimit racional të nevojave. Në një epokë ku kultura e konsumit e shtyn individin drejt blerjes së vazhdueshme dhe kënaqjes së menjëhershme të çdo impulsi, agjërimi rikthen balancën midis dëshirës dhe domosdoshmërisë.
Nëse njeriu është i aftë të heqë dorë me vetëdije nga ushqimi dhe pija – gjëra të lejuara dhe esenciale – madje ta bëjë këtë me bindje dhe qetësi shpirtërore, atëherë me aq më tepër ai mund të përmbahet nga kërkesat e tepërta të egos dhe të kufizojë zhytjen në teprimet e lejuara.
Agjërimi është provë praktike se vullneti mund ta udhëheqë instinktin, jo e kundërta.
Një ilustrim domethënës gjendet në qëndrimin e Omerit r.a. Kur pa djalin e tij të kishte blerë mish në një kohë vështirësish ekonomike, e pyeti: “Ç’është kjo?” Ai u përgjigj: “Mish që e dëshirova.” Atëherë ai reagoi prerazi: “A çdo gjë që e dëshiron, e blen?!”
Kjo nuk ishte thjesht kritikë për një blerje; ishte vendosje e një parimi: jo çdo dëshirë meriton të shndërrohet në konsum.
Mesazhi është i qartë: konsumi i pakontrolluar nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe morale dhe shpirtërore. Ai prek solidaritetin, drejtësinë sociale dhe ndjeshmërinë ndaj tjetrit.
Rreziku më i madh për njeriun në çdo kohë është të bëhet rob i gjërave që e rrethojnë. Kur kontrolli kalon nga vetëdija tek objekti i dëshirës, ai nuk është më zot i vetes, por një pjesë e një makinerie që e lëviz sipas interesave të tregut, jo sipas parimeve të tij. Paradoksi është i dukshëm: njeriu mbron lirinë e tij, ndërsa njëkohësisht pranon zinxhirët e materializmit me vullnetin e vet.
Çmenduria e konsumit shfaqet kur blerja bëhet qëllim në vetvete, posedimi kthehet në identitet dhe nevoja artificiale zëvendëson nevojën reale. Industria e reklamës, e përforcuar nga teknikat e psikologjisë së sjelljes, krijon lidhje të kushtëzuara midis produktit dhe ndjenjave të fuqisë, kënaqësisë, rehatisë, lirisë apo prestigjit. Produkti nuk shitet më si objekt, por si përjetim dhe simbol statusi.
Ramazani e ndërpret këtë cikël. Ai e riedukon njeriun të dallojë midis “dua” dhe “kam nevojë”. Ai vendos një hierarki të re prioritare: shpirtin mbi trupin, qëllimin mbi egon, përgjegjësinë mbi dëshirën.
Përmes urisë së kontrolluar, njeriu rifiton sovranitetin mbi veten. Ai kupton se mund të jetojë me më pak, se mund ta shtyjë kënaqësinë, se mund ta ndajë të mirën me të tjerët.
Në thelb, Ramazani është një trajnim intensiv në menaxhimin e burimeve: kohës, energjisë, pasurisë dhe dëshirave. Ai ndërton një vetëdije të re: njeriu nuk matet nga sa konsumon, por nga sa kontrollon veten. Dhe vetëm ai që kontrollon dëshirat e tij është realisht i lirë.
Korab Hajraj
21.02.2026
